Edhe pse nuk është pjesë e trajningut në Kategorinë Superiore, Sulejman Mema ndjehet pranë kësaj kategorie, ndërsa për Tiranën ku është investimi i tij gati gjysmëshekullor në karrierë, ai kërkon më shumë qetësi e transparencë në zgjidhjen e situatës së saj në fundin e renditjes.
Sulejman Mema ka qenë futbollist i Tiranës (ish-17 Nëntori) në periudhën 1973-1985, ku ka fituar 2 herë Titullin Kampion, ndërsa si trajner, skuadrën bardheblu e ka drejtuar për 9 sezone në ndeshje kampionati, ku edhe ka fituar 4 tituj Kampionë. Për disa vite, Mema ka drejtuar edhe sektorin e garave në FSHF.
INTERVISTOI: AGRON KAJA
Në këtë sezon, jeni pranë apo larg Kategorisë Superiore?
-Të them të drejtën, as pranë, por as edhe larg saj. Sepse është e pamundur për mua që, përpos punëve dhe angazhimeve të tjera, të qëndroj larg kësaj kategorie ku kam investuar rreth 50 vite karrierë si futbollist, trajner e drejtues klubi.
Cili është treguesi që ju ka tërhequr më shumë në 15 javët e luajtura në Kategorinë Superiore?
-Nuk janë pak 15 javë për të thënë gjëra specifike, por unë mendoj se skuadrat janë thuajse të barabarta mes tyre, përpos renditjes që kanë në tabelë. Ka skuadra si Kukësi e Tirana që kanë bërë lojë të mirë dhe nuk kanë marrë pikët e duhura, ndërsa të tjerat nuk kanë ndonjë të veçantë.
Duke mos ju referuar kryesisht tabelës së renditjes, ju cilën skuadër e veçoni si më produktive në këto 15 javë?
-Natyrisht që Partizani, sepse loja dhe produkti i saj kanë marrë atë që kanë merituar. Por Partizani veçohet nga skuadrat e tjera edhe në një tregues më të spikatur, atë të organizimit profesionist të skuadrës. Të gjitha këto kanë kulmin e tyre në kryesimin në renditjes në 15 javë.
Faza e dytë ka edhe tre javë në lojë, ju mendoni se do të kemi surpriza në rezultate e renditje në këto javë?
-Futbolli është i bukur jo vetëm si lojë, por edhe për rezultatet që prodhon. Unë nuk mund të them se ku është “fshehur” Plaku i Vitit të Ri si surpriza e fundvitit në Kategorinë Superiore, por kalendari duket se nuk është shumë bujar, pasi janë ndeshje delikate për të gjitha skuadrat.
Sot në mesditë luhet ndeshja e parë e javës së 16-të, Kukësi-Skënderbeu, cila skuadër është favorite?
-Kjo javë, në kalendarin e saj ka dy ndeshje të forta për kreun e renditjes. Sot në mesditë Kukësi-Skënderbeu dhe të shtunën Teuta-Partizani. Kukësi ka zgjedhur të luajë në Kamzë ku ka shumë mbështetës, por edhe në parashikim, është më pranë fitores. Nuk e mendoj barazim.
Po në ndeshjet e tjera të javës së 16-të, ku mendoni se është “fshehur” surpriza?
-Jo vetëm renditja aktuale e skuadrave, por edhe vetë ecuria e garës bën që çdo ndeshje të vlerësohet maksimalisht nga të gjitha skuadrat. Nuk ka shumë ndikim fusha vendase, ndaj mendoj që në radhë të parë të prodhohet lojë e mirë, dhe rezultatet të jenë pjesë e saj.
Duke qenë pjesë e historisë në futbollin bardheblu, si e përshkruan situatën e Tranës në vendet e fundit të renditjes?
-Kjo situatë ka kohë që është e tillë te Tirana, ku po evidentohen konflikte të panevojshme. Duhet qetësi e transparencë në zgjidhjen e saj, por mbi të gjitha, Tirana duhet të shohë nga elementët e rinj, të cilët nuk i mungojnë në akadamitë e moshave që ka ky klub.