Panajoti Kone i ka dhënë fund karrierës së tij si futollist në moshën 33-vjeçare. Ish-mesfushori ishte ndër të parët “tradhëtarë” që i tha “JO” Shqipërisë dhe zgjodhi të luante për flamurin grek në arenën ndërkombëtare. I lindur në Tiranë por i larguar drejt Athinës që në moshën 2-vjeçare, Kone i bashkohet Kombëtares helene në vitin 2010 dhe që nga ajo kohë numëron 28 paraqitje dhe 2 gola.
Ndërkohë në karrierën e tij si futbollist ka ndërruar shumë klube. E nisi me AEK-un e Athinës dhe më pas me Iraklis në Greqi, për të kaluar më pas në kampionatin italian. Breshia, Bolonja, Udineze dhe Fiorentina kanë qenë skuadrat me të cilat ka zbritur në fushën e lojës gjatë periudhës në Itali, si dhe ka provuar një aventurë edhe në Spanjë me Granada.
Ndërkaq karrierën ka vendosur ta mbyllë në Australi, ku ishte pjesë e Uestern Junajtid. Lajmin për të varur këpucët në gozhdë e bën të ditur vetë ish-futbollisti, i cili tashmë është gati të nisë rrugën e trajnerit./Halit Delibashi-Sport Ekspres/