Nga Tbilisi në Haifa, rruga e italianit mbërrin në “finish”?

0

Gjithçka nisi në transfertë dhe mund të përfundojë po jashtë fushe për italianin. Solli progres, inovacion, hapi një cikël të ri dhe na dha arritjen historike, pjesëmarrjen në Europian…

Anton Cicani

29 shkurt 2012… Në Tbilisi të Gjeorgjisë, përpara 18 mijë spektatorëve të ulur në shkallët e stadiumit “Mikheil Meksi”, Xhani de Biazi do të debutonte në stolin e kombëtares së Shqipërisë, edhe pse bëhej fjalë për një miqësore. Një kontratë të cilën firmosi për të parën herë në ambientet e federatës shqiptare të futbollit, duke premtuar impenjim, punë dhe rezultate. Përkrah tij, presidenti Duka.

Ishte fundi i nëntorit 2011, teksa sapo ishim ndarë nga Josip Kuzhe dhe prisnim një revolucion. Ai revolucion u krye me sukses, duke arritur majën e futbollit tonë, ose siç do të thonin grekët e lashtë, ngjitjen drejt Olimpit. Një debutim i nisur me humbje, 2-1 ndaj vendasve gjeorgjianë.

Një rezultat që në Shqipërinë e De Biazit do të përsëritet edhe 10 herë të tjera, si për ironi të fatit, më shumë në të keq se sa në të mirë. Nga Tbilisi në Haifa, distanca është 1900 kilometra, teksa ata që duan ta bëjnë me makinë duhet të llogarisin një ditë të tërë. Por, në rastin e Xhani de Biazit, janë dashur pesë vjet të plota, me 52 ndeshje në total në bankinën kuqezi… Një kohë e gjatë, e cila sigurisht ka sjellë fitore por edhe shumë humbje.

Ka sjellë një sukses në gjykatë, ndaj Serbisë, pas ngjarjeve të Beogradit, në Aveiro, ndaj Portugalisë së yjeve, apo në acarin e Oslos, duke mposhtur Norvegjinë. Mes tyre, një perlë e Kaçes ndaj Francës, në “Elbasan Arena”, pa harruar këtu suksesin e madh ndaj Rumanisë në Europianin e vitit të shkuar, në debutimin kuqezi në këtë kompeticion.

Pikërisht në tokën e hebrenjve, në atë që dikur ishte “pa Zot”, Xhani de Biazi mund të japë lamtumirën dhe të mbyllë ciklin e tij. Lojtarët e dinë tashmë se uria dhe motivimi janë zhdukur dhe entuziazmi ka mbetur ai në Francë… Dorëheqje ose shkarkim, pak rëndësi ka… Dhe, nëse italiani do të fitonte, sigurisht, katër muajt e tjerë do të ishin thjesht kalimtarë, si një balenë që pret në breg të detit të ngordhë, pak nga pak…

Piku dhe rënia – Një tjetër arritje e De Biazit ka të bëjë me renditjen FIFA, duke qenë se në vitin 2015 arritëm të renditeshim në vendin e 38-të, teksa kur tekniku italian mori drejtimin e Shqipërisë, ndërsa në vitin 2011 ishim në vend të 74-ërt, teksa në FSHF, De Biazi firmoste kontratën.

Në fakt, nga 2015 në ditët e sotme, kemi humbur praktikisht 28 vende dhe jo pak… Megjithatë, për kuqezinjtë, që në ditët më të këqija janë renditur edhe në vend të 116-të (ishte koha kur topi u zëvendësua nga plumbat e Luftës civile të shpërthyer në vend pas firmave piramidale), sigurisht që ardhja e De Biazit solli progres.

Cikli dhe rinovimi – Jo vetëm kaq, por kanë qenë mbi 50 futbollistë që janë thërritur nga trajneri italian në këto pesë vite të tij me kuqezinjtë. Praktikisht, një mesatare prej 10 futbollistësh çdo vit, një rinovim absolut i një skuadre që kishte nevojë për freski. Nga Gjeorgjia në Izrael, nëse i hedh një sy skuadrës së Shqipërisë, atëherë do të shohësh se janë vetëm pesë të mbijetuar në total (Roshi, Hyka, Shehi, Lila dhe Agolli, që s’do të jetë por vetëm sepse është i pezulluar me kartonë).

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.