Nga stoli te ofertat pa fund, dy sezonet kuksiane të Gurit

0

Nga sprinti i Tiraspolit te mister “1 milionëshi” , Guri në rrugën e Abazajt dhe Cikalleshit

Jurgen Zela

Transferimi i Kristal Abazajt tek Anderlehti ishte një surprizë për të gjithë, por pavarësisht kësaj, kishte kohë që përflitej për një transferim jashtë vendit. Futbolli shqiptar, pas shumë vitesh arriti që të nxirrte jashtë vendit një lojtar “bio”, pasi Skënderbeu më herët kishte transferuar lojtarë që ose kishin lindur në Kosovë (Berisha, Latifi) ose të huaj (Olainka). Kukësi është skuadra e fundit që ka arkëtuar nga shitja e një lojtari të lindur në Shqipëri, teksa 4 sezone më parë Sokol Cikalleshi linte verilindorët për afro 100 mijë euro. Shkodrani duket se ka zënë radhën për transferimin jashtë vendit dhe ankandi për të ka nisur. Nga Kukësi dalin çdo ditë emra klubesh nga vende të ndryshme, por ajo që është e sigurt është se Guri edicionin e ardhshëm do të luajë në një kampionat më të fortë se yni. Pasaporta italiane e 24-vjeçarit hap shumë rrugë dhe bën që shumë skuadra ta lakmojnë për ta pasur në skuadër. Dy sezone si “kuksiane” dhe tashmë një e ardhme premtuese në horizont. Te Kukësi mori titullin kampion, por shkëlqimi nisi nga Tiraspoli, ku “Guri” nisi të gdhendej e të kthehej në “xhevahir”.

SHPËRTHIMI
Vjet Kukësi në sulm kishte 4 lojtarë, dy prej të cilëve me shumë eksperiencë, Pero Pejiç dhe Izair Emini. Ata ishin titullarë të padiskutueshëm dhe alternativa e parë qe Sindrit Guri. Në fund mori medaljen e kampionit, por kishte shënuar vetëm 2 gola. Në verë Kukësi kishte mangësi në krahun e djathtë, pasi u dëmtua Karioka. Gjoka “goditi” duke zhvendosur Gurin si mesfushor të djathtë. 24-vjeçari kishte një nga lojtarët më të mirë të Sherif Tiraspol në atë krah, brazilianin Kristiano. Gjithsesi shkodrani bëri një performancë mbresëlënëse në të dyja takimet. Sherifi ishte gati ta rrëmbente Gurin për 100 mijë euro, por Kukësi kërkonte 3-fishin. Ishte pikënisja e shkëlqimit të Gurit. Pejiç u largua, ashtu si Emini e Rangel. Te Kukësi u sikletosën kush do ishte pasuesi i kroatit, por shpëtimtari ishte në shtëpi. Guri vijonte të ishte nën kontratë dhe tani ishte sulmuesi kryesor. U afrua Bakaj për ta ndihmuar dhe shkodrani nisi të rritej ndeshje pas ndeshje, derisa erdhi momenti që të merrte përgjegjësinë e sulmit i vetëm. Bakaj u largua dhe ishte skena e gjitha për të. Shkodrani kishte shënuar vetëm 5 gola deri në janar, ndërsa nga shkurti në prill gjeti rrugën e rrjetës plot 10 herë të tjera.

STATISTIKAT
Në Kukës kanë një idhull të ri. Guri konsiderohet një “vrasës” brenda zone. 15 gola në Superiore dhe vetëm 1 i shënuar me penallti. E djathta është këmba e tij e preferuar, pasi ka shënuar plot 8 herë me të. 1 e 90 i gjatë dhe nuk mund të falë me kokë, pasi ka shënuar plot 7 herë pas harkimeve të shokëve. “Nuhatja” është veçoria kryesore e një sulmuesi dhe nga brenda zone golashënuesi më i mirë i Kukësit ka realizuar plot 13 herë, ndërsa dy të tjerët nga jashtë. Me Lushnjën ka shënuar një gol shumë të bukur, si dhe Partizani, këtë herë më goditje dënimi. Goli i shënuar ishte në një tjetër nivel, por në Kukës e dinë se do i gëzohen golave të tij edhe pak javë. Cikalleshi dhe Abazaj u grumbulluan nga Kombëtarja para se të iknin jashtë dhe Guri ka bërë mjaftueshëm, së paku në sytë e opinionit publik, për ta grumbulluar me përfaqësuesen. E sigurt duket që për sulmuesin shkodran e ardhmja do të jetë më e mirë. Nga Vllaznia, te Besa, Kastrioti, Korabi dhe Kukësi. Ekipi i ri, të presim. Kukësi fërkon duart, pasi e di se Guri veç golave do të sjellë dhe një “thes” me para. Tani nën zë Gurin kanë nisur ta thërrasin “mister 1 milionëshi”, pasi aq ëndërron ta shesë Kukësi.

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.