Liverpul-Napoli është përballja më e fortë dhe emocionuese e së martës në Champions. Duke llogaritur një fitore hipotetike të PSG në Serbi përballë Cërvenës, ekipet e Klopit dhe Ançelotit do të luftojnë mes tyre për vendin tjetër që të kualifikon.
Trajneri i “The Reds” ka folur në konferencën për shtyp, duke e nisur me rinovimin e Xho Gomez. Mbrojtësi 21-vjeçar është i dëmtuar, por klubi ka vendosur ta shpërblejë me një zgjatje kontrate deri në vitin 2024. Klop është i lumtur për një fakt të tillë, ndërsa flet dhe për ndeshjen e zjarrtë kundër Napolit.
Liverpulit i duhet fitorja, ndërsa italianët luajnë për dy rezultate. Trajneri gjerman po e pret me padurim nisjen e kësaj sfide, jep mendimin e tij për episodin ndaj Sterling dhe tregon një prapaskenë me presidentin e Napolit, i cili e dëshironte në ekipin e tij kohë më parë.
GOMEZ – “Xho është një lojtar i pabesueshëm. Sezonin e kaluar zhvilloi një sezon fantastik, ndërsa këtë sezon ka qenë i mrekullueshëm. Tani është i dëmtuar, por do të shërohet, nevojitet vetëm durim dhe qetësi. Jam shumë i lumtur për rinovimin e tij, ai është pjesë e grupit dhe jam shumë i kënaqur.”
DUELI – “Nesër duhet të korrigjojmë gabimet e bëra deri tani. Kundër Napolit në ‘San Paolo’ dhe kundër Cërvenës në Beograd nuk kemi luajtur mirë. Megjithatë, në shtëpi kemi bërë paraqitje të mirë dhe nesër duhet të bëjmë dhe më mirë. Mendoj se nëse nuk do të ketë vendime arbitrare kundër nesh, do ia arrijmë të marrim atë që duam. Jemi pjesë e një grupi shumë të vështirë, e dinim këtë gjë, por e kemi akoma mundësinë për të kaluar grupin. Do të bëjmë disa ndryshime taktike, e kemi në dorën tonë kualifikimin, duhet të përfitojmë nga atmosfera e ‘Anfield’ dhe mezi po pres të nisë kjo ndeshje.”
NAPOLI – “Qetësia është thelbësore. Duhet të ruajmë këtë qëndrim, i dimë ndeshjet që na presin dhe Krishtlindja nuk ka ardhur ende. Ndoshta na mungon pak eksperiencë, por e dimë saktësisht se si do të luajmë. Renditja në kampionat nuk ka shumë rëndësi për ndeshjen kundër Napolit. Ata janë një skuadër shumë e mirë dhe kanë një trajner me eksperiencë si Ançeloti. E dimë se do të jetë një ndeshje e komplikuar, ata luajnë mirë futboll. Janë një skuadër tipike italiane, të aftë në mbrojtje dhe të rrezikshëm në kundërsulm. Mezi po pres të përballemi me Napolin.”
STERLING – “E pashë ndeshjen Çelsi-Mançester Siti dhe nuk e dëgjova atë që kishte ndodhur. E vlerësoj shumë reagimin e Sterling, sepse ata që lëshojnë kore racistë nuk meritojnë vëmendje. Incidente të kësaj natyre ndodhin dhe në Gjermani dhe Itali. Këto tipa duhen dënuar, por duhet thënë që 99% e njerëzve nuk janë kështu.”
PRAPASKENA DHE E ARDHMJA – “Kam dhe tre vite e gjysmë kontratë me Liverpulin dhe kur të mbarojnë, ndoshta nuk do të më dëshirojë më kush si trajner (buzëqesh). Italia më pëlqen shumë, si ushqimi ashtu dhe vendi, edhe pse nuk e flas gjuhën. De Laurentis është një tip që t’i thotë gjërat troç. Kur nis e flet të tregon dhe gjëra që unë nuk do ia tregoja askujt. Besoj se ai është i lumtur me Ançelotin, ashtu siç ishte me Sarrin. Mund të them vetëm kaq: jam shumë i lumtur te Liverpuli.”