Laçi u mund të dielën nga Vllaznia në Shkodër, gjë që nuk është përjetuar mirë. Gjithsesi çfarë ka shkuar ka shkuar, ndaj duhet menduar për ndeshjen e radhës, që kurbinasit e kanë në shtëpi me Skënderbeun. Të premten Komisioni i Disiplinës njoftoi se Laçi në dy ndeshjet e radhës duhet të luajë pa praninë e publikut, për shkak të sjelljes së tifozëve në takimin e kampionatit me Kukësin. Kështu, kundër korçarëve, ekipi i Mezanit nuk do të ketë mbështetjen e publikut. Edhe në fazën e dytë u ndodhi e njëjta gjë dhe bardhezinjtë në fund triumfuan falë një goli të shënuar nga Myrto Uzuni me fillimin e pjesës së dytë.
REXHINALDO E SELMANI – Humbja për asnjë futbollist nuk është e mirë. Laçi u përpoq shumë në Shkodër ta ndryshonte rrjedhën e lojës, edhe pse luajtën prej minutës së 7-të me një lojtar më pak, pasi Sefgjini u ndëshkua me karton të kuq. Lojtarët po mundohen ta kalojnë këtë situatë dhe në rrjetet sociale janë munduar të përcjellin mesazhe motivuese për shokët e skuadrës.
Sulmuesi Rexhinaldo, pas takimit në Shkodër, në llogarinë e tij në “Facebook” shkruan: “Ne duhet ta pranojmë rezultatin, pavarësisht nga shumë padrejtësi. Të mendojmë për ndeshjen e ardhshme, që është gjëja më e rëndësishme. Forca djema”.
Portieri Selmani, gjithashtu ka përcjellë një mesazh. Kapiteni, që bëri një paraqitje shumë të mirë me Vllazninë, duke e mbajtur në lojë skuadrën e tij deri në fund, shkruan: “Ju dështoni vetëm kur ndaloni së përpjekuri”.
Në ndeshjen e radhës me Skënderbeun do të mungojë mbrojtësi Sefgjini i pezulluar, ndërkohë që në vend të tij me shumë mundësi do të aktivizohet Arbër Shala, sikurse ka ndodhur edhe në të shkuarën.