Orges Shehi është tanimë zyrtarisht trajneri i Skënderbeut. 40-vjeçari ka folur fjalët e tij të para si timonier i skuadrës, teksa shprehet i lumtur për aventurën e re, ndonëse është i sinqertë duke treguar se nuk e kishte pritur kaq shpejt një përgjegjësi kaq të madhe. Në të njëjtën kohë Shehi zbulon dhe stafin me të cilin do të punojë te Skënderbeu, por dhe elementët që do të jenë të shtyllat ku do të mbështet skuadra e tij.
Si ju duket pozicioni i ri në ekip?
Është një pozicion ndryshe pasi kalon nga fusha në pankinë. Ndodhi pak shpejt por e morra me kënaqësi dhe do të jap maksimumin që të shpërblej vlerësimin e klubit. Unë e kam përsëritur që jeta ime është e lidhur me futbollin. Më pëlqen fusha dhe kjo është ajo që doja. Erdhi pak shpejt por nuk mund të thosha jo. Më ndihmon fakti që jamnë brendësi të ekipit dhe kam vlerësimin dhe besimin e të gjithëve.
Kush do të jetë stafi juaj i ri?
Sigurisht që të jesh drejtues duhet të krijosh stafin. Edlir Tetova do të jetë krahu im i djathtë si zëvendës trajner dhe Gentian Liçi si asistenti im. Kosta Jani do të jetë përgatitësi atletik i ekipit dhe i përherëshmi Bozhiqi që është pjesë e pandarë e klubit.
Cilat do të jenë shtyllat që do të mbështetet ekipi i Shehit?
Kjo është domethënëse sepse çdo ekip e ka shtyllën kurizore të vetën. Ne e kemi bazën dhe shtyllën kurrizore. Unë do të bazohem tek lojtarët me eksperiencë dhe ata do të jenë boshti i ekipit. Skënderbeu nuk ka funksionuar kurrë me gjeneralë. Unë kam një moto, të gjithë të rëndësishëm asnjë i pazëvendësueshëm.