Emri i tij mund të jetë alergji nëse mendohet për Behramin dhe zgjedhjen zviceriane, por Ahmedi është historia e kundërt, edhe më shumë nëse mendohet për Kabashin, dikur shok skuadre te moshat kuqezi. Përralla e fantazistit buzë lumit Drava
Nga Anton Cicani
Përgjatë lumit Drava në Maribor mund të peshkosh, admirosh natyrën, por edhe të reflektosh… Në kohën e lashtë, shpesh piktorët “strehonin” mendjen e tyre në këto panorama që ofronte qyteti ku jetonin për të qëndruar larg zhurmës, kaosit dhe sidomos aktiviteteve kryesore të një shoqërie apo të masave. Frymëzimi vinte krejt i rastësishëm dhe nuk kishin nevojë të qëndronin për orë të tëra të mbyllur në shtëpi.
Maribori – në vitin 2012 bashkë me qytetin e Gimareshit, Portugali u zgjodh si qendra e kulturës europiane dhe vend për tu vizituar – është një qytet i cili të ofron një “parajsë” mendore, ose një “arrati” nga stresi. Atë stres që vjen nga shumë arsye, qoftë edhe disa dëmtime që të kanë penguar zhvillimin tënd si futbollist duke ndikuar në karrierë. Valon Ahmedi ka kaluar shumë peripeci, por tashmë duket se është vendosur në binarët e duhur. Prej vitit 2014 braktisi Italinë për të provuar veten në Slloveni.
Iu deshën vetëm pak orë me makinë, shoqëruar nga familjarët, për të ndërruar shtëpi nga Sud Tiroli i Veriut të Italisë drejt Celjes, në Slloveni. Kalohet dhe nga kryeqyteti slloven, Ljubjana, por aty smund të ndalonte Valoni, që ishte mësuar të jetonte gjithmonë në vende malore dhe ku natyra pajtohej me shpirtin e njeriut… Dhe, si për magji, ose ndoshta për rastësi, qyteti ku Ahmedi lindi ofron gjithashtu një ambjent piktoresk, pasi flasim për Ohrin.
Si në ëndrra – Për një fëmijë emigrantësh nga Maqedonia, por me origjinë shqiptare, naytirsht, nuk ishte e lehtë, por topi e ushqeu me ëndrrën se një ditë do të mund të ndiqte dëshirat dhe pasionet e tij, pse jo, duke kontribuar ekonomikisht edhe te familja e tij, që shumë sakrifica kishte bërë. Ndoshta arrijta për të shkuar në grupet e Champions League (në historinë e futbollit nuk është se e kanë bërë shumë shqiptarë) nuk është maksimumi i karrierës, por kur je ende 22 vjeç (në tetor do të mbushë 23) mund të quhet më shumë se sa një vetrinë ku mund të dallohesh. °Po, është një ëndërr që realizohet për mua. Kam kaluar një kohë vërtet të vështirë, por tashmë çdo gjë është hedhur pas krahëve. Jam rritur si njeri dhe futbollist, teksa jam ende në hapat e mi të parë”, rrëfen ai për “Sport Ekspres”. Dhe, pikërisht atëherë kur mendoi se mund të ishte futur në një tunel pa dalje, gjeti dritën, e cila e udhëhoqi drejt rilindjes. “Besimi në Zot dhe afërsia e familjarëve e miqëve bën diferencën”.
Stigmata kampioni – Që Ahmedi kishte talent u kuptua që kur Skënder Gega do t’i jepte shansin e madh të debutonte me kombëtaren U-21 të Shqipërisë pikërisht ndaj Maqedonisë (ishte shkurti i vitit 2013), federata e të cilës shumë bëri për tia rrëmbyer kuqezinjve. Nuk ndodhi, pasi Valoni që kur ishte 15 vjeç priste me padurim të vishte fanellën e kombëtares së shqiponjave. Madje, në ekip, në atë kohë, përkrah tij luanin ata që rishkruan sërish historinë e Skënderbeut, si Gavazaj apo Latifi. Ishte edhe një tjetër futbollist i cili e mbylli aventurën me Shqipërinë që në embrion. Referimi? Elvis Kabashi, i famshëm për letrën e tij të lamtumirës, sepse pretendonte Italinë në karrierën e tij. Ciao Elvis, mirësevjen Valon. Sigurisht, nga emri, shumë tifozë do të kishin një farë alergjie duke menduar për Behramin, por Ahmedi nuk do të mund të vishte fanellën e Maqedonisë edhe nën tortura. “Në humbjet e Shqipërisë shpesh qaja. Nuk kam humbur një ndeshje në brenda meje kam shpresuar që një ditë të vesh fanellën e ekipit të madh. Tani që ka ardhur kjo ditë, jam vërtet më i lumturi. Por, ende asgjë s’është bërë”.
Sa një rrogë ditore e Mesit – Maribori do të pagonte vetëm gati 50 mijë euro te Celje për ta siguruar kartonin e futbollistit. Shumë pak, nëse merret me mend se talenti nuk i mungon. Praktikisht, një vlerë që në ditët e sotme është e barabarë me një shtëpi në një zonë plazhi apo periferi. Ose, nëse bëhet një studim edhe më i thellë, sa një rrogë ditore e Mesit, Ronaldos, apo Nejmarit. Sot, vlera e tij është të paktën 10-fish, teksa ka një kontratë deri në verën e vitit 2019. Sigurisht, nëse vazhdon kështu, rinovimi do të vijë.
Roli – Ahmedi lind si një mesfushor organizator, por që në moshë të re, pra në hapat e parë, i pëlqente shumë që jo vetëm të kryente “detyrat” e thjeshta të shpërndarjes, por t’i jepte edhe një grimcë më shumë fantazi manovrave ofensive. Sot, si fantazist, ka totalizuar shumë pasime të sakta, por sidomos është efikas për projektin taktik të skuadrës sllovene. Mjafton fakti që gjatë tureve kualifikueseve drejt grupeve të Champions, ka totalizuar 511 minuta, duke luajtur të gjashtë ndeshjet (turi i dytë, i tretë dhe play-off) për të konfirmuar se është bërë i pazëvendësueshëm për idetë e trajnerit Darko Milaniç, që prej vitit 2016 drejton ekipin slloven. 6 Ndeshje Luajti Ahmedi gjatë kësaj vere në turet kualifikuese për të arritur grupet e Champions, duke arritur po aq kualifikime 4 Vjet Më parë erdhi debutimi i tij me U-21 e drejtuar nga Skënder Gega, i cili do ta grumbullonte një vit më parë edhe te U-19, që drejtohej po nga ai