Nga Milani te… Milani, Strakosha përgatit hakmarrjen e madhe!

0

Thuajse 1 vit e gjysmë më parë, në “San Siro”, portieri kuqezi do të debutonte si një i panjohur dhe thjesht djali i Fotos. Në atë sfidë, pësoi dy gola, por aty nisi rritja. Tani do finalen e Kupës

Ka kaluar më shumë se një vit, kur më 20 shtator 2016, në “San Siro” del në nxehje një djalosh që është vetëm 20-vjeç dhe e quajnë Thomas Strakosha… Në anën tjetër të fushës, ovacionet janë për një tjetër djalosh, që është 17-vjeç dhe quhet Xhanluixhi Donaruma. Njëri është shqiptar, tjetri është italian. Njëri është një bast, tjetri është një konfirmim dhe madje talenti më i madh pas Bufon… E ndërsa Italia njeh Donarumën, për Strakoshën ka vetëm pak njohuri. Fakti që vjen nga huazimi në Serinë B me Salernitanën, teksa për Igli Taren ka akuza pafund se “miqësitë” i kanë hapur rrugën të riut Thomas… Strakosha nuk trembet por vazhdon nxehjen, teksa do të luhet Milan-Lacio.

“Eshtë djali i Foto Strakoshës!”, kanë thënë të gjithë, teksa e shihnin nga tv në Shqipëri. E ndërsa disa bënin tifo kundër tij, duke qenë milanistë, të tjerë thjesht prisnin skedinat… 2-0 për “Djallin”, festë kuqezi në “San Siro” dhe Strakosha që largohej me kokën poshtë. Sot, dy autorët e golave, Baka dhe Niang, luajnë respektivisht te Vilareali dhe Torino, ndërsa portieri kuqezi po te Lacio… Dhe, nga ajo natë, gjërat kanë ndryshuar për Strakoshën, që sot nuk shihet më si djali i Fotos, por thjesht Thomasi portieri i Lacios. Igli Tare sot është “gjeni”, ndërsa Lotito një president që pati guxim. Sepse, duhej guxim të mbaje Strakoshën vetëm 20-vjeç teksa Berisha u largua ditën e fundit.

Rritja – Një rritje eksponenciale ajo e djaloshit të rritur në Greqi dhe që për pak sa nuk përfundoi te Roma. Pikërisht Foto do t’i shkruant e Tares, ish-shok ekipi te kombëtarja e Shqipërisë, duke e bindur ta merrte në provë të voglin e tij. E thënë, e bërë. Nën “kurat maniakale” të stërvitësit të portiervëe, Alberto Grixhioni, teksa pikërisht Simone Inzagi është ai që i dha mundësinë e madhe. Trajneri i Strakoshës te të rinjtë e, më pas, te ekipi i parë. Thomasi ka hedhur shumë hapa të rëndësishëm përpara dhe po ngjit shkallët, pa kthyer kokën mbrapa dhe pa pasur frikën e rrëzimit.

E ndërsa sezonin e parë lacial luajti 21 ndeshje, duke u ndërruar shpesh me Marketin, tashmë është ndër pikat më të forta. 26 ndeshje të zhvilluara dhe tetë herë rrjeta e paprekur nga topat e kundërshtarit (tetë ndeshje Lacio i ka mbyllur pa pësuar gol). Praktikisht, një mesatare që do të thotë një gol i pësuar çdo tre ndeshje. Sot, Strakosha shihet me një tjetër sy.

Madje, Milani e sheh me një tjetër sy, aq sa Romanjoli, në konferencën për shtyp të dhënë dje, foli në lidhje me portierin kuqezi, “Strakosha është një pikë e fortë”. Lacio po tenton ta blindojë dhe kontrata e re deri në vitin 2022 pret vetëm firmën, me rritje rroge (do të kalojë në 500 mijë euro në sezon).

Trofetë  – Sigurisht, ishte shumë i vogël Thomasi kur Lacio ngriti në qiell kupën e fundit të Italisë. Ishte sezoni 2012-2013, teksa Lorik Cana vishte fanellën bardhekaltër dhe të shqiponjave. Strakosha ishte portieri i tretë, teksa kishte fituar edhe një Kupë me të rinjtë. Në fakt, në sezonin 2013-2014, me Bonatin trajner, fitoi Kupën e Italisë për Primavera, por edhe titullin një vit më parë. Për Strakoshën, do të vinte edhe trofeu i madh si protagonist, pasi këtë sezon fitoi Superkupën e Italisë, 3-2, me dopietë te Imobiles dhe gol të Murxhias në fund.

Përballja – Pikërisht ndaj Milanit, sot në mbrëmje, Strakosha do të provojë të marrë atë hakmarrje që ka kërkuar gjithmonë, pra t’i eliminojë nga Kupa e Italisë, pikërisht përballë Donarumës, që një vit e gjysmë më parë e kishte kundërshtar në “San Siro”. Në kampionat, gjithçka e barabartë këtë sezon, me një fitore të Lacios në Romë dhe një të Milanit në “San Siro”. Në Kupë, 0-0 ndeshja e vajtjes.

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.