Kukësi do të ndeshet me Laçin të dielën në Elbasan dhe do të mundohet të lërë pas zhgënjimin e eliminimit të hidhur në Europa League.
Klubi verilindor tashmë kërkon të kopsitë disa gjëra të mbetura pezull, sepse ka ende disa lojtarë pa kontratë.
Kështu, Besar Musolli ka arritur marrëveshjen dhe do të jetë edhe një vit “kuksian”.
Me drejtuesit kanë biseduar edhe Simo Rrumbullaku e Ylli Shameti, me mbrojtësin anësor që ka gjetur marrëveshjen në parim, ndërkohë që edhe Shameti ka dëshirë të rinovojë dhe marrëveshja është pranë. Kapiteni dhe Kukësi pritet që të konkretizojnë zgjatjen e bashkëpunimit, pasi parimisht është gjetur gjuha e përbashkët.
Mbrojtësi Rustem Hoxha do të takohet një ditë para ndeshjes kundër Laçit me drejtuesit. Albi Alla është në listën e dëshirave të trajnerit Cungu, ndaj klubi po negocion për zgjatjen e bashkëpunimit, por mbetet ende jo shumë e qartë e ardhmja e mbrojtësit.
Ndërkaq, duket se nuk do të ketë zgjatje të marrëveshjes me Sebino Plakun. Sulmuesi ishte i Kukësit vetëm për kupat e Europës, duke lënë të hapur mundësinë e rinovimit për më vonë, por marrëdhënia e sulmuesit me Kukësin nuk ka qenë dashuri me shikim të parë dhe ish-sulmuesi i Kamzës nuk ishte i pranishëm në stërvitjen e sotme, duke dhënë të kuptohet se mund ta nisë sezonin me fanellën e Kamzës.