Viti 1999. Eksod i madh nga Kosova për shkak të konfliktit të armatosur me Serbinë. Shumëkush u zhvendos në Shqipëri, të tjerë në Perëndim. Mes familjeve të larguara ishte edhe ajo e Egli Kajës. Tashmë djaloshi i lindur në Ferizaj përfaqëson ngjyrat e Shqipërisë. Gjatë kohës së luftës ishte vetëm 2 vjeç. Sigurisht nuk mban mend gjë, por e imagjinon se sa e vështirë ka qenë për prindërit e tij.
“Isha foshnje kur ishim në Kosovë, ndaj nuk e ndjeva realisht atë që po ndodhte në atë kohë. Nuk është diçka për të cilën prindërit e mi flasin, por e di se duhet të ketë qenë një periudhë e vështirë dhe është dashur shumë kurajo dhe vendosmëri për ta që të vinin në Britaninë e madhe. Ata ishin të vendosur për të ndërtuar një jetë më të mirë për mua dhe motrën, ndaj çdo vendim që morën ishte për ne. Ata bënë sakrifica të mëdha, braktisën familjet e tyre, lanë punën dhe ndërmorën një risk të madh. Do ju jem gjithmonë mirënjohës për gjithçka kanë dhënë për mua”, rrëfen Kaja.
HAPAT E PARË NË FUTBOLLL – Por prindërit e futbollistit të Livingston janë munduar ta ndihmojnë të riun edhe në botën e futbollit. Familja e tij u vendos fillimisht në MidëllsbRou, për t’u zhvendosur në Londër kur Kaja ishte vetëm 10 vjeç.
“Prindërit e mi bënë gjithçka të më ndihmonin mua me futbollin, duke më dërguar gjithmonë në stërvitje mes shiut dhe borës. Ka qenë alamet udhëtimi dhe, ndonëse ke ëndrrat e tua, nuk e mendon kurrë se një ditë do kesh mundësinë të luash futboll ndërkombëtar”, shton 21-vjeçari.
Kaja nuk mund të mos ketë pranë prindërit e tij. Nuk e imagjinon diçka të tillë dhe kërkon të jenë në stadium në momentin që ai do të veshë fanellën kuqezi e të debutojë. Nëse ka ardhur deri këtu, prindërit e tij kanë merita për gjithçka i kanë ofruar.
“Ata kanë angazhime pune dhe gjëra për të bërë, por unë u thashë: ‘Do paguaj unë që ju të vini!’. Kështu ata fluturojnë të premten drejt Shqipërisë dhe do të qëndrojnë deri të mërkurën për ndeshjen me Skocinë dhe Uellsin. Shpresoj që do ta bëj debutimin para tyre, duke marrë parasysh gjithçka që ata kanë bërë për mua. Unë e di se sa krenarë do t’i bëjë kjo ata”, shprehet Kaja.
IDHULLI HYSAJ – Në kombëtare, futbollisti i huazuar te Livingston prej anglezëve të Uimbëlldon, ka mundësinë të punojë me lojtarë të nivelit të lartë dhe Elseid Hysaj është frymëzimi i Kajës.
“Është një eksperiencë e shkëlqyer të punosh me djem që luajnë me klube të mëdha Europiane si Napoli (Hysaj) dhe Bazeli (Xhaka). Do të ishe i çmendur të mos flisje me këta djem, të mësosh gjithçka mundesh dhe të kuptosh se si mund të arrish atje.
Kur flet me Elseid Hysajn, gjëja që ai thekson më së shumti është se diferencat nuk janë shumë të mëdha. ‘Ju nuk keni lindur në ‘top level’, ka të bëjë gjithçka me punën e madhe dhe të bërit më të mirën nga talenti juaj. Njerëzit mendojnë se nuk mund të arrini në atë nivel. Ti mundesh’. Ai është një frymëzim për mua në lidhje me atë që mund të arrihet nëse beson në vetvete, punon shumë dhe ke edhe pak fat”, tregon Kaja
PANUÇI – Në fund i riu flet për trajnerin Kristian Panuçi: “Pritshmëritë e tij janë të mëdha, ai kërkon shumë. Ai ka luajtur për klubet më të mëdha në botë, ka ngritur trofe dhe gjithmonë ka qenë i rrethuar nga lojtarët më të mirë. Ai është një fitimtar. Kjo rrezaton në trajnimin që ai kryen, sidomos me ata që luajnë në ligat më të mëdha. Ai pret që ata të duken për vendin e vet, të jenë liderë dhe të arrijnë rezultate në fushë”.
Pak fjalë edhe për situatën aktuale të kombëtares, që kërkon fitoren me Skocinë. “Përjetuam me të vërtetë një zhgënjim muajin e shkuar. Mendoj se e dominuam ndeshjen me Izraelin, por u dhuruam atyre dy gola. Kjo do të thotë se duhet të fitojmë me Skocinë”, përfundoi Egli Kaja rrëfimin e tij për Capital City Press.