Nga Latifi te Koliçi, Fakiç “zbërthen” merkaton!

Drejtori sportiv: Asnjë interesim për Koliçin, për momentin. Kievos mund t’ia mbajmë edhe më shumë lojtarin. Përqindje të madhe suksesi ka edhe trajneri Daja

Haris Fakiç, drejtori sportiv i Skënderbeut, i ftuar në “Rubrika Sportive”, TVSH, ka folur për arritjen e korçarëve për të vijuar më tej, rëndësinë e trajnerit Daja dhe lojtarit Lilaj, por edhe për merkaton, Latifi, sulmuesi i huazuar nga Kievo dhe portieri i Kukësit, Koliçi.

Kairat – “Me siguri është punë e madhe ta kalosh një ekip si Kairati, sepse është ekip shumë i fortë dhe me buxhet më të lartë, ndoshta 5 herë më i madh se ne, por në futboll s’kanë rëndësi vetëm financat. U vërtetua edhe këtë herë. Ata e nënvlerësuan pak Skënderbeun dhe i kaluam sepse zhvilluam një ndeshje të mirë jashtë fushe. Ndeshja e kthimit ishim të qartë se si do të luanim dhe i kishim bërë me dije Kairatit se si ishte Skënderbeu. Kemi shumë kualitet dhe s’do të jetë e lehtë aspak për kundërshtarin, sidomos në Shqipëri. Ia uroj profesor Dajës suksesin ndaj Kairatit, për punën që ka bërë. Jam super i kënaqur. Ndikon eksperienca, sigurisht, por edhe të gjithë faktorët, pasi janë të rëndësishme për të arritur të ecësh”.

Lilaj – “Ka qenë i detyruar të pushojë katër muaj. Tani është pa probleme dhe kur s’ka probleme është i frikshëm. Por, kemi afruar edhe të tjerë, që koha po tregon se janë të mirë dhe në Europë po lënë gjurmë. Nuk është rastësi. E kemi grumbulluar ekipin 6 ditë pas fundit të kampionatit. Është kohë e mjaftueshme për t’u rikuperuar për lojtarët. Futbollistët janë profesionistë dhe e kuptuan. Merkato e shpejtë? Është praktika ime e punës dhe e Skënderbeut. Duhet të jesh një hap përpara skuadrave”.

Merkato – “Jemi duke parë, gjithçka është e hapur. Sidomos në sulm, pasi është pjesa më e rëndësishme. Aty ku qëndron problemi më i madh. Kemi afruar një lojtar të Kievos, Soue, që e kemi marrë në huazim. E kemi ndjekur shumë. i ngjan historisë së Ekuban? Po, por në thelbin e punës është diçka ndryshe. Po e njëjta skuadër na jep në huazim një lojtar, pas rastit Ekuban. Të mërkurën duhet të vijë. Duhet finalizuar marrëveshja me Kievon, pasi me lojtarin është kryer. Marrëveshja është huazim 1 vit, pastaj. Por, Skënderbeu s’është vetëm një destinacion i përkohshëm, por nëse lojtari del ashtu si e parashikojmë, mund të negociojmë edhe për kartonin. Latifi edhe një vit? Çështje “e nxehtë”. Pasi janë bërë lëvizjet më të hershme dhe të gjithë presin Latifin të ndërrojë skuadër dhe të vijë transferimi, por s’është edhe aq e thjeshtë. Shpresojmë që të vazhdojmë sa më larg në Europë. Nëse dalim në Europa League, atëherë Latifi mund të qëndrojë ende. Për biznesin e klubit dhe rritjen e vlerës. Nëse nuk kalojmë, atëherë shanset janë që Latifi të largohet. A ka ofertë për Koliçin? Portier shumë i mirë, që ka bërë një kampion të shkëlqyer vitin e shkuar. Jo vetëm ne, por edhe skuadra të tjera do të ishin të interesuara. S’është diçka e nxehtë për momentin si çështje”.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *