Nga Kroacia vjen “bomba”, Lovren rrezikon 5 vjet burg!

Dejan Lovren rrezikon 5 vite burg. Mbrojtësi i Liverpul dyshohet se ka dhënë deklaratë të rreme në gjyqin ndaj ish-drejtor ekzekutiv të Dinamo Zagreb, Zdravko Mamiç. Lovren u thirr të dëshmonte në gjykatë për sa i përket marrëveshjes së tij me ish-drejtorin ekzekutiv Mamiç, për transferimin e tij tek Dinamo Zagreb.

Mamiç u akuzua në vitin 2015 për parregullsi në transferimet e shumë lojtarëve të Dinamo Zagreb. Shembull konkret është, pikërisht transferimi i mbrojtësit Dejan Lovren nga Dinamo në drejtim të Lion për shumën e 7.5 milionë eurove, si dhe 1.3 milionë që do të vinin bonus në varësi të paraqitjeve të shtatlartit. Në këtë transferim thuhet se Mamiç përfitoi rreth 50% të marrëveshjes. Gjithashtu dhe për transferimin e Modriç nga Dinamo tek Totenhem ish-drejtori ekzekutiv i kroatëve akuzohet për të tjera parregullsi.

Zdravko Mamiç është një ndër figurat më të fuqishme në Kroaci. Ai u dënua me 6 vite e gjysmë burg, por një ditë përpara dhënies së dënimit ai u zhvendos drejt Bosnjes të cilët refuzuan të ekstradojnë këtë të fundit drejt shtetit kroat. Ish-drejtori deklaroi se nuk do të kthehet kurrë në Kroaci.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *