Nga Kosova në Bundesligë, ylli që po ndriçon Verder Bremenin

0

Një goditje dënimi e ekzekutar në mënyrë perfekte në minutën e 90’. Një gol që vlen tre pikë. Ëndrra që çdo lojtar synon ta realizojë për tifozët e tij. Pikërisht kjo i ndodhi edhe Milot Rashicës. Mesfushori i krahut të djathtë i lindur në Vushtrri, që i dhuroi fitoren Verder Bremenit në fushën e Ajntrahtit të frankfurtit.

Për të gjithë ata që i mbajnë sytë hapur rreth asaj që ndodh në futbollin europian, talenti i 22-vjeçarit nuk është thjesht lajmi i një fundjave. Përkundrazi, pavarësisht moshës fare të re, Rashica ka një histori të gjatë dhe shumë intensive.

Në moshën 16-vjeçare debutoi në elitën e futbollit të Kosovës, ku u shpall edhe kampion i Superligës në sezonin 2013–’14 me Vushtrrinë, ekipin e vendlindjes. Pas festës së titullit, menjëherë u provua në Gjermani te Hanoveri dhe Union Berlin, që në verën e vitit 2014 kanë bërë një prej gabimeve më të mëdha, duke mos i ofruar kontratë pas provës së kryer.

Rashica nuk u dorëzua dhe pak javë më pas u testua te Viteshe në Holandë. Disa muaj në ekipin e të rinjve dhe në shkurt të 2015-ës, klubi i Eredivisies u bind t’i ofronte kontratë 3-vjeçare, duke paguar 300 mijë euro. Një hap i madh në karrierë, i realizuar falë ndihmës së ish-kapitenit kuqezi, Altin Lala, i cili i ka qëndruar gjithmonë pranë në talentit.

Rashica ka luajtur në të gjitha nivelet e përaqësueseve të moshave të Shqipërisë, madje debutoi edhe me Kombëtaren A. Por, pasi trajneri De Biasi vendosi ta linte jashtë Europianit 2016 dhe njohjes zyrtare te Kosovës nga FIFA dhe UEFA, Miloti i’u bashkua “Dardanëve”.

Prej vitit 2017, kur fitoi edhe Kupën e Holandës me Viteshen, ka qenë në radarët e Udinezes dhe Napolit në Serinë A italiane. Por, Verder Bremeni besoi më tepër, duke investuar plot 7 milionë euro për ta blerë. Një biznes i shkëlqyer! Tashmë Milot Rashica po shkëlqen në Bundesligën gjermane, është i dashuruar me përfaqësuesen e tij dhe me sa duket, edhe me goditjet e dënimit nga jashtë zone.

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.