Mbrojtës në fushë, sulmues në jetë. Kështu preferon të përkufizohet Françesko Açerbi, i cili në moshë të vogël luante për të mposhtur portierët kundërshtarë. Kjo edhe për faktin se ishte tifoz i Milanit dhe kishte si idhull Ueah. “Dua të luaj aty!”. Në atë moshë ëndërronte të luante me fanellën kuqezi në “San Siro”. Ëndërr, të cilën e realizoi më 24 tetor 2012, me Milanin që u mposht në sfidën e Champions League ndaj Malagas në “Rosaleda”.
Pak muaj më parë, kjo dukej diçka e vështirë të realizohej. Por, pasi firmosi kontratën me Milanin, gëzimi për arritjen dhe fjalët “I’a dola mbanë”, u shndërruan në justifikimin “Nuk kisha mentalitetin e duhur për të qëndruar aty”. Pas gjashtë vjetëve, Açerbi është një njeri dhe lojtar krejt i ndryshëm. Nuk ka më alibi. Mbrojtësi nuk ndihet më sikur ka arritur gjithçka. Tani nuk është më 5 kile mbipeshë dhe askush nuk e detyron të jetojë në periferi, ashtu si bënin Alegri dhe Galiani. Drejtuesit e Milanit e morën vendimin sepse, si çdo i ri, edhe Françesko pëlqente të dilte natën.
Edhe në Romë, tundimet ishin të shumta. Por, me Lacion ai luajti 14 ndeshje si titullar në 14 javë në këtë sezon, duke i’u afruar rekordit të Zanetit me 164 ndeshje të luajtura pa ndërprerje në Serinë A. Açerbi është në kuotën 138. Për herë të fundit, mungoi në një ndeshje të më tepër se tre viteve më parë: në tetor 2015 kundër Empolit.
Prej atij momenti, më tepër se 12 mijë minuta në fushën e lojës, pa u ndalur. Deri te Lacio. Açerbi ka bërë që Igli Tare dhe Lotito të mos vuajnë për largimin e De Vraj. Në ditën e prezantimit me kryeqytetasit tha: “Kam patur dy jetë, tani po jetoj të dytën”. Në “Mapei stadium”, ku bardhekaltërit do të luajnë ndaj Sasuolos, mbrojtësi do të gjejë shumë miq, pas pesë viteve intensive të përjetuara dhe ku ka mposhtur shumë kundërshtarë.
Më i frikshmi nga të gjithë ishte tumori në testikuj. Në verën e vitit 2013, vetëm pak pasi kishte firmosur kontratë 5-vjeçare me Sasuolon, u diagnostikua me këtë problem. Një makth, në aventurën e re, ku kërkonte të harronte sezonin e errët të kaluar mes Milanit dhe Kievos. Menjëherë operacioni, si pasojë e të cilit lind natyrshëm pyetja: “A do të arrij të bëhem edhe unë prind”.
Sfida ndaj Sasuolos do t’i kujtojë luftën e fituar me sëmundjen. Dy beteja: e para u mbyll në shtator të 2013-ës, kur u kthye në fushë kundër Veronës. Beteja e dytë nisi në dhjetor, kur pas barazimit 2-2 ndaj Kaljarit, rezultoi pozitiv në testet anti-doping. Substanca ishte përdorur gjatë kurimit të kancerit në testikuj, me Açerbin që u skualifikua, sepse në atë periudhë nuk po merrte ilaçet.
Por, arsyeja ishte rikthimi i simptomave të sëmundjes. Situata u paraqit si një skandal, por Françesko vijoi betejën. Përkrah tij ishte gjithmonë mjeku Paolo Minafra. Pas seancës së parë të kimioterapisë, Açerbi e detyroi doktorin të zbrisnin në fushë për të bërë disa xhiro me vrap. E keqja kaloi përfundimisht, ndërsa në janar të 2015-ës mbrojtësi u kthye te goli, 1,000 ditë pas festimit të fundit në kampionat.
“Bota na thyen të gjithëve. Por, vetëm disa njerëz bëhen më të fortë aty ku janë thyer”. E ka shkruar Heminguej dhe që mbrojtësi i’a përsërit gjithmonë vetes. Ndërkohë, vazhdon të shijojë jetën e tij të dytë. Aty, me Lacion do të sfidojë jetën e tij të parë, ose e thënë ndryshe Sasuolon. Nuk është një ndeshje si të gjithë të tjerat. Është ndeshja e Françesko Açerbit.