Nga jeta në geto, tek “urrejtja” për futbollin: jeta e Tevez në një serial

Karlos Tevez është një nga futbollistët më të dashur në Argjentinë, madje fama e tij e kalon dhe atë të Leo Mesit. Sulmuesi i Boka Zhuniors është rritur në lagjet më të varfra dhe të rrezikshme të Buenos Aires. Në moshë të vogël u braktis nga e ëma, ndërsa i ati u “zhduk”.

Vogëlushi Karlos u rrit nga xhaxhai i tij, derisa talenti i dha mundësinë të nisë karrierën e futbollistit dhe të largohej nga rruga dhe vuajtjet e saj. 34-vjeçari ka vendosur të tregojë jetën e tij dhe po xhiron serinë televizive, prodhuar nga rrjeti televiziv “Telefe”.

Kemi vendosur me produksionin të tregojmë të vërtetën ashtu siç është. Asgjë nuk mungon: nga dita kur pësova dëmtimin në fytyrë deri në ditën e debutimit me Bokën. Fëmijëria ime ka qenë shumë e vështirë dhe e mbushur me drogë, armë dhe grabitje. Kam përjetuar të gjitha ato që ndodhnin në lagjet e Buenos Airesit. Pavarësisht kësaj, ne fëmijët ishim të lumtur, luanim gjatë gjithë kohës futboll dhe kjo na mjaftonte. Në Argjentinë kalojmë gjithë ditën duke diskutuar për politikë dhe nuk biem asnjëherë dakord. Në vend ka akoma njerëz, të cilët vdesin nga uria, ndërsa të tjerët humbasin kohë duke argumentuar ngjarjet e ndodhura dhe nuk bëjnë asgjë për të rinjtë, të cilët vdesin të pangopur. Kemi nevojë për shembuj të mirë.”

Tevez, i njohur me nofkën “Apashi”, zbulon një detaj interesant të kohës së lirë. Ai nuk sheh asnjëherë futboll në televizor dhe e shpjegon në këtë mënyrë zgjedhjen e tij.

Nuk më pëlqen të shoh ndeshje në TV. Nuk e bëj kurrë, sepse nuk më pëlqen futbolli. Nëse në TV po transmetohet Barcelona-Real Madrid dhe në një kanal tjetër po transmetohet një turne golfi, unë shikoj golfin. Nuk kam qenë kurrë një fanatik i ndeshjeve të futbollit. Më pëlqen të luaj dhe të kem topin nëpër këmbë. Fitimi i Kupës Libertadores? Kënaqësia më e madhe që mund të përjetojë një futbollist”, përfundon Karlos Tevez.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *