Nga goli në muzikën “Rock”, Osvaldo: Futbolli më hoqi lirinë, nuk dua të jem si Mesi e Ronaldo!

Pablo Daniel Osvaldo mbahet mend si një sulmues, i cili shënonte gola të bukur dhe diçka të tillë e ka bërë me ekipet e Fiorentinës, Romës, Interit dhe Juventusit, ndërkohë që u aktivizua për tre vite me kombëtaren e Italisë, ku shënoi katër gola në 14 ndeshje. 32-vjeçari e mbylli me futbollin në vitin 2016, kur ishte vetëm 30 vjeç, për t’u fokusuar në karrierën muzikore.

Italo-Argjentinasi është prononcuar për “Marca”, ku komenton jetën e re jashtë futbollit dhe brenda muzikës. Osvaldo shpjegon emocionet e përjetuara si këngëtar i bandës së tij dhe refuzon jetën që bëjnë yjet si Kristiano Ronaldo dhe Leo Mesi. Ajo nuk bën për Pablon, i cili ka nevojë të jetë i lirë dhe shijojë jetën sipas mënyrës dhe stilit të tij origjinal.

JETA PA FUTBOLL –  “Nuk e mohoj jetën time si futbollist dhe futbollin në përgjithësi. Më ka dhënë shumë, por shpeshherë ndihesha si peshku pa ujë. Tani jam më i lumtur se më parë. Futbolli më bënte të lumtur, por atmosfera e futbollit, jo. Ndihesha gjithmonë e më shumë i mbingarkuar nga atmosfera. Nuk pendohem që kam luajtur futboll, e adhuroj dhe është gjëja më e bukur që më ka ndodhur në jetë. Por, presioni gjykues i njerëzve, të gjithë që duan të japin opinionin e tyre dhe të jetojnë jetët e të tjerëve, kur nuk dinë të jetojnë jetët e tyre, më lodhte shumë. Njerëzit e famshëm kanë të njëjtat probleme me ato që shesin perime në rrugë. Futbolli më dha mundësinë të ndihmoja familjen time dhe për të më realizuar ëndrrën: ´Ti thoja babait tim të mos punonte më´. Më ka dhënë mundësinë të shëtis, të njoh botën, të ndryshoj mentalitetin tim dhe jetën time, por më hoqi lirinë, që nuk ka çmim dhe është e panegociueshme për mua.”

NGA FUTBOLLI NË MUZIKËN “ROCK” – “Gjithmonë kam ëndërruar të kem një bandë rroku. Ndoshta zotëroj talentin, por duhet ta zbulosh diçka të tillë. Kur fillova karrierën si futbollist, nuk e mendoja karrierën që do të kisha patur më vonë. Ndërkohë që luaja futboll, shkruaja shumë tekste dhe kjo gjë filloi të më pëlqente shumë. Më vonë fillova të luaja në kitarë në mënyrë që të bëja muzikë. Futbolli më jep akoma adrenalinë, sepse shikoj ndeshje në televizor dhe shkoj në stadium për të ndjekur Boka Zhuniors, ekipin tim të zemrës. Nuk kam dëshirë të luaj, sepse kam mundësinë të bëj gjëra që nuk mund t’i bëja më parë. Muzika është si të shënosh gola njëri pas tjetrit dhe në çdo tingull të kitaristit tim, mbyll sytë dhe ndjej adrenalinën e golit. Është diçka magjike, çdo sekondë është unik dhe nuk përsëritet më.”

RONALDO-MESI – “Kristianos i pëlqen të shkojë në shtëpi dhe të bëjë 150 pompa, ndërsa mua më pëlqen të ndez zjarrin dhe të përgatis rosto. Nuk dua të jem as si Mesi. Do të më pëlqente të luaja me të, kjo po, por ai i shkreti nuk ka një jetë të tijën, sepse jeton në një burg prej ari. Nuk mund t’i lejojë vetës të pijë dhe kur je në ato nivele, nuk arrin të jetosh në shtëpinë tënde. Arrin të blesh televizorin më të madh në botë, por nuk mund të qëndrosh në dhomën tënde për ta shijuar. Për çfarë është e nevojshme të marrësh një Ferrari për të shkuar në stërvitje, që ndodhet 15 minuta larg? Nuk më kanë interesuar kurrë paratë, por kam shpenzuar dhe për gjëra idiote. Vazhdoj ta bëj akoma, por në një mënyrë më ekonomike. Nëse do të isha Leo Mesi, nuk do e lija futbollin, edhe po të doja. Je më i miri në botë dhe kjo ka vlerën e saj. Por, nuk ia vlen të bësh vetëm atë që di të bësh më mirë, sepse dedikohesh 24 orë në ditë, gjatë 365 ditëve të vitit.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online