Çfarë ka ndodhur me Zhoze Murinjon? Ku ka përfunduar një prej trajnerëve më të fitues të historisë së afërme? Si është e mundur që njeriu karizmatik, tashmë është shndërruar në të urryer? Përgjigjet e këtyre pyetjeve mund të interpretohen edhe me mënyrën si ka ndryshuar futbolli në vitet e fundit.
“Special One” po përjeton një tjetër aventurë të keqe në karrierë. Në Mançester e kontestojnë, marrëdhëniet me disa prej emrave më të mëdhenj të skuadrës, ku më kryesori është Pol Pogba, është prishur, mediat britanike dhe kompanitë e basteve kanë nisur të publikojnë kuotat e largimit, ndërsa trajneri kundërpërgjigjet me mënyrën e tij të zakonshme, duke thënë: “Nëse them atë që mendoj realisht për këtë skuadër…”.
E vërteta është se tashmë në moshën 55-vjeçare, Murinjo duket sikur e ka dhënë më të mirën nga vetja. Ideja e tij e futbollit duket e dalë mode. Nga viti 2002, kur fitoi titullin e parë me Porton, deri në vitin 2010, kur udhëhoqi Interin drejt “Tripletës” së famshme, për të kaluar te sukseset me Çelsin, Murinjo ka fituar 17 trofe, duke përfshirë këtu edhe dy Champions League (me Porton dhe Interin).
Në të njëjtin hark kohor, pra tetë vjet, nga viti 2010 e deri më sot, trofetë janë përgjysmuar. Vetëm 8 kupa të fituara me tre skuadra: te Reali i Madridit, për t’u rikthyer sërish te Çelsi dhe tashmë te Mançester Junajtid.
Llogaritë janë të thjeshta: nga viti 2002 deri më 2010-ën, Zhoze ka fituar titujt kampionë me Porton, Çelsin dhe Interin në tetë sezone. Ndërkohë, nga viti 2010 deri më sot, ka fituar vetëm një titull kampion në Spanjë me Realin e Madridit dhe një në Angli me Çelsin. Vetëm kaq. Ky nuk është bilanc për një trajner që njihet si “Special One”.