Opinion nga Drilon Xhepollari
Për shumë, Florian Marku arriti një sukses të madh duke u shpallur kampion bote në kategorinë WBC Silver, pasi mundi me vendim unanim meksikanin Miguel Parra Ramirez, në një atmosfertë të zjarrtë në “Air Albania”. Ky sukses bëri bujë jo vetëm në Shqipëri, por edhe në shtetet të tjera ku jetojnë shqiptarë dhe veçanërisht në Londër, për shkak të kompanisë që menaxhon sportistin tonë. Po sa i vërtet ishte ky titull dhe çfarë na ofroi mbrëmjen e 25 gushtit boksieri lushnjar?!
Fillimisht duhet të sqarojmë çfarë kategorie i përket ky titull, sepse shpesh abuzohet dhe as ky rast nuk bën përjashtim. E vërtetë, Marku fitoi gjerdanin e WBC Silver, por për kategorinë e tretë të divizionit në peshën e mesme të lehtë. Gjithashtu duhet evidentuar se Miguel Parra Ramirez renditet i 260-ti në botë sipas ranglistës së BoxRec, ndërsa Marku i 43-ti. Kompanitë e basteve e kuotonin 1.062 fitoren e Markut dhe 8.00 të Ramirez-it. Kaq mjafton për të treguar sesa e fortë do të ishte kjo ndeshje, e cila u shit sikur në fushë do të zbrisnin dy titanë të ringut.
Më tepër për kuriozitet, boksieri meksikan ka 1118 ndjekës në kanalin e tij në Instagram, kjo shifër tregon sesa “famos”, ishte rivali i Markut, që vjen nga një shtet me popullsi 129 milionë banorë. Ramirez ishte një pre i lehtë dhe ishte zgjedhur pikërisht për t’ia serviur në pjatë fitoren Markut, por për një moment ai e shokoi lushnjarin duke e hedhur në tapet.
Madje në raundin e tetë, gjyqtari e mbylli ndeshjen 8 sekonda para duke iu frikësuar më të keqes. E papranueshme, e paprecedentë, nuk ka fjalë për ta përshkruar këtë vendim… por për këtë episod u fol shumë pak, ndoshta aspak, për ta ruajtur Markun, ndonëse ky moment e njollosi ndeshjen. Ky vendim i gjyqtarit i shtoi dyshimet se skenari ishte përgatitur, por në mënyrë të shëmtuar. Kampion, mend për herë tjetër! Nëse do të vish sërish të ndeshesh në Shqipërinë tënde të dashur, gjej një kundërshtar të vërtetë… jemi lodhur me kampion TikTok-u. Marrë nga Zoom.al