Nga De Biazi te Altin Lala, ja si e mbështesin FSHF korifenjtë e futbollit shqiptar

Disa nga figurat më të rëndësishme e të cilët kanë shkruar historinë e futbollit shqiptar kanë mbështetur punën e bërë nga Federata Shqiptare e Futbollit dhe veçanërisht kontributin e Presidentit Duka në vitet e fundit. Ata kanë bërë apel që politika të qëndrojë larg futbollit dhe që të ndalen sulmet dhe baltosjet ndaj FSHF-së dhe arritjeve të deritanishme.

Në debatin e nisur në prag të zgjedhjeve për organet drejtuese të FSHF-së personalitete të shquara kanë dalë në mbrojtje të punës dhe kanë vlerësuar progresin që ka bërë federata dhe futbolli shqiptar në dekadat e fundit, që kulmojnë edhe me organizimin e finales së UEFA Conference League në Tiranë më 25 maj të këtij viti. Që nga Xhani De Biazi, Altin Lala, Sulejman Demollari, Edoardo Reja, Hamdi Salihi, Ansi Agolli, Migjen Basha e Debatik Curri kanë dhënë mendimin e tyre në lidhje me atë çka po ngjet në futbollin shqiptar.

Xhani De Biazi – Trajneri më i suksesshëm i kombëtares shqiptare, Xhani De Biazi, në një intervistë për emisionin “Breaking” në Top News tha se politika duhet të qëndrojë e distancuar nga sporti dhe se askush nuk ka bërë më shumë se Armand Duka për zhvillimin e futbollit shqiptar.

“Armand Duka është një person që unë besoj se ka bërë shumë për futbollin në Shqipëri. Askush në futbollin shqiptar nuk ka arritur aq shumë, në nivele të tilla që të jetë pjesë e bordit drejtues të UEFA-s. Kjo është e rëndësishme për të gjithë futbollin në Shqipëri,”- tha De Biasi. – “Futbolli është i pavarur dhe politika duhet të jetë e distancuar nga sporti. Kjo nuk ndodh në vende të tjera. Unë e kuptoj se të gjithë duan të afrohen pranë Federatës se ka marrëdhënie të rëndësishme kombëtare, ka gjëra që bëhen me shumë para,”- tha ish- trajneri i kombëtares së Shqipërisë.
Altin Lala – Edhe Altin Lala, ish-kapiteni legjendar i kombëtares shqiptare, duke folur në emisionin “Sport Magazine” në “Ora News”, është shprehur se politika duhet të qëndrojë larg zgjedhjeve në FSHF, dhe se ky diskutim në një vend të zhvilluar as nuk çohet ndërmend të ndodhë.

“Sa herë ka zgjedhje në Shqipëri, ka edhe problematika, si në zgjedhje vendore dhe ato të FSHF-së. Nuk lë shije të mirë te futbolli. Në vendet e zhvilluara nuk ka lidhje fare politika dhe futbolli. Është inekzistente politika në futboll. Futbollin e ndjekin shumë njerëz, e shohin shumë dhe prandaj duan të përzihen edhe politikanët. Nuk është fare legjitime. Politikanët kanë shumë punë të tjera përpara se të merren me sportin. Futbolli ka ecur shumë mirë. Armand Duka është menaxher shumë i mirë në tërësi; duhet të jesh ekonomist dhe menaxher i mirë. Dikush mund të thotë se ai ka vite aty në post, por nga ana tjetër ka bërë edhe punë të mirë. Kujt do ia merrte mendja para 5 vitesh që do zhvillohej një finale në Shqipëri? Kjo është arritje e madhe për Shqipërinë. Politika duhet të shtyjë përpara për futbollin. Për sa kohë që Duka ka energji dhe po vazhdon që të bëjë mirë, atëherë pse jo që të vazhdojë”, – deklaroi ish-futbollisti i famshëm kuqezi.

Eoardo Reja – Trajneri i Kombëtares, Edoardo Reja, duke folur për gazetën e madhe italiane, “Corriere Dello Sport” ka shprehur shqetësimin e tij për ndërhyrjet e politikës në futboll, teksa ka vlerësuar punën e madhe që ka bërë FSHF për futbollin shqiptar.
“Dua të shpreh solidaritetin tim të plotë për presidentin Duka. Kam dëgjuar rreth disa polemikave në Shqipëri, por mund të them që politika nuk ka vend në futboll. Me Federatën Shqiptare të Futbollit po bëjmë një punë të jashtëzakonshme. Do të ishte mëkat të prishej apo të vihej në diskutim”, – është shprehur trajneri Reja për prestigjiozen “Corriere Dello Sport”.

Migjen Basha – Ish-futbollisti i Kombëtares, Migjen Basha, një nga heronjtë që dërgoi Shqipërinë në “EURO 2016”, në një intervistë për Dosja.al, ka shprehur mbështetjen e tij për FSHF-në dhe ka komentuar ndryshimet e shumta që ka përjetuar futbolli shqiptar në vazhdimësi.

“Nuk e di pse vjen gjithë kjo urrejtje, kur vitet e fundit ka pasur shumë progres nga ana e infrastrukturës, siç janë stadiumet e reja apo ndërtimi i Shtëpisë së Futbollit, po ndërtohen edhe fusha të reja në të gjithë Shqipërinë. Nga ana tjetër, Kombëtarja ka arritur diçka historike, kualifikimin në një kampionat Europian dhe prapë shumë njerëz nuk janë të lumtur. Nuk e kuptoj se pse gjithë ky interes i madh nga politikanët dhe pikërisht në këtë moment. Politika duhet të qëndrojë larg futbollit, ashtu sikurse ka bërë gjithmonë në fakt, pasi njerëzit e futbollit janë vetë të aftë për të bërë më të mirën për ta zhvilluar këtë sport. Në 2016 ishim ne futbollistët dhe Federata Shqiptare e Futbollit që e dërguam Shqipërinë në Europian dhe jo politika”, – tha Basha.

Hamdi Salihi – Ish-bomberi i njohur shkodran dhe aktualisht zv.trajneri i Kombëtares shqiptare, Hamdi Salihi gjithashtu ka reaguar në lidhje me ngjarjet e fundit që po ndodhin në futbollin shqiptar. Në një intervistë për televizionin “Syri”, Salihi flet lidhur me procesin zgjedhor në FSHF dhe ndërhyrjet e politikës. “Sa herë afrohen zgjedhjet, ka njerëz që gjatë 4 viteve nuk i ka rënë në mend fare për sportin dhe kujtohen kur vjen koha e zgjedhjeve.

Më vjen keq, sepse kur afron koha e zgjedhjeve, do të kishte qenë mirë që të jenë njerëz të sportit që afrohen, që duan të kandidojnë, të japin ndihmën e tyre, të shpalosin projektet e tyre, por vijmë në një pikë absurde që përplaset fusha e lojës me politikën, që nuk kanë të bëjnë dhe kjo e bën më të madhe dhe i jep një non-sens këtij debati, – shprehet Salihi. – Jam pjesë e futbollit profesionist, u bëra 21 vite dhe përveç se pjesë e futbollit, jam dhe qytetar i Shqipërisë dhe duke e krahasuar me të gjitha fushat e tjera, futbolli është si nata me ditën, ka një progres të jashtëzakonshëm, ka rritje të jashtëzakonshme në krahasim me fushat e tjera. Është meritë e presidentit Duka dhe jo vetëm pasi janë dhe aktorë të tjerë që kanë dhënë ndihmesë të madhe. Duka ka bërë dhe po bën një punë shumë të mirë dhe nuk duhet ta ndërpresë në mes. Kemi lënë pas shtete që vite më parë nuk i afroheshim as me nivel, as me infrastrukturë, as me organizim”, – theksoi ish-bomberi shkodran.

Debatik Curri – Në vazhdën e reagimeve të figurave të futbollit shqiptar, ke reaguar edhe ish-mbrojtësi i njohur i Kombëtares shqiptare, Debatik Curri, i cili ka folur lidhur me zhvillimet e fundit në futbollin shqiptar dhe ndërhyrjen e politikës në këtë proces. Curri e sheh mjaft shqetësuese gjendjen, teksa shpreson që politika të ndalet e zgjedhjet në FSHF të zhvillohen të qeta. “Presidenti Duka ka bërë një punë të mrekullueshme prej vitesh dhe mendoj se është njeri me edukatë për të udhëhequr federatën edhe për shumë vite të tjera. FSHF-ja është një institucion që është si një lloj shtëpie për çdo futbollist. Armand Duka është një ndër personat që ka investuar më shumë në infrastrukturë dhe është duke investuar. Çdo skuadër në Shqipëri ka një stadium” – tha Curri për emisionin “Breaking” në Top News. – “Duka është një njeri që e ka bërë punën mjaft mirë deri tani dhe shpresojmë që të vazhdojë dhe më tej të ketë këtë qasje që ka pasur deri tani. Mendoj që është një person që e meriton të jetë aty e ta lejojnë të zhvillojë projektet që i ka për 4 vitet e ardhshme”, – përfundoi Debatik Curri.

Sulejman Demollari – Një tjetër figurë e shquar e futbollit shqiptar, Sulejman Demollari, ka dhënë përshtypjen për Sport Ekspres dhe analizën e tij për gjithçka ndodh në këto kohë. “Askush veç njerëzve të futbollit, nuk ka të drejtën që të marrë vendimet, që i takojnë këtij komuniteti. Politika ta ndihmojë futbollin, të bashkëpunojë me strukturat e tij. Shembuj pozitivë gjen dhe dihet që bashkëpunimi sjell gjithmonë fryte të mira. Ky futboll na ka bërë krenarë, na ka dhënë kënaqësi në ditët më të vështira të këtij vendi. Mu kujtuan tani kualifikueset e ‘Francë 2016’, paraqitja e shkëlqyer, qëndrimi profesional në Serbi dhe fitorja juridike në KAS-in e Lozanës. Dhe si ‘qershia mbi tortë’, paraqitja në Francë. Nuk besoj, se ka patur ndonjëherë nivel kaq të lartë të krenarisë kombëtare të shqiptarëve, brenda dhe jashtë vendit, se sa gjatë asaj periudhe. Atëherë futbolli dhe Armand Duka ishin të mirë, madje konsideroheshin si heronj por sapo afrohen zgjedhjet ata përbalten pa ‘mëshirë’, nga ata që vetëm para pak vjetësh nxitonin t’i prisnin nëpër selitë e tyre, me tam-tame dhe banda. Politika duhet të heqë dorë urgjentisht nga presioni dhe ndërhyrjet në Federatën e Futbollit. Ajo duhet të kuptojë njëherë e mirë që pavarësia e institucionit dhe ushtrimi i të drejtës për të zgjedhur njerëzit e saj dhe zgjidhur problemet që ka, është një vlerë e komunitetit të futbollit”, – tha Demollari.

Ansi Agolli – Në lidhje me këtë situatë ka folur edhe ish-kapiteni i Kombëtares shqiptare, Ansi Agolli, i cili në një intervistë për Syri TV ka shprehur zhgënjimin që politika ndërhyn në zgjedhjet e FSHF-së dhe ka vlerësuar kontributin e vyer të Armand Dukës.
“Që nga momenti që Duka ka marrë drejtimin e Federatës, futbolli në Shqipëri ka patur rritje. Rezultatet e arritura nuk erdhën kot. Ka akoma për të përmirësuar, por duke e krahasuar me shumë gjëra në Shqipëri, ka bërë më mirë. Kam luajtur në shumë vende futboll, por nuk kam dëgjuar kurrë të tilla ndërhyrje. Po marr shembull Nju Jorkun, ku jetoj. Është e njëjta gjë sikur Kryetari i Bashkisë (Nju Jork) të luftojë presidentin e Federatës Amerikane, gjë që nuk do të ndodhte kurrë. Është po i njëjti kryetar (Erion Veliaj) që e ka pritur ekipin kombëtar tek Bashkia, me tapet të kuq. Ka mbajtur një fjalim prej 45 minutash, duke thurur elozhe për Dukën”, – theksoi Ansi Agolli. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online