“Nexhipi ishte dështim total me merkaton në vitin e fundit”, Safet Gjici: Por e dha dorëheqjen vetë…

0

Kukësi la pas një nga sezonet më të dobëta në dekadën e fundit, teksa e gjen veten jashtë Kupave të Europës. Në klub pritet të ndodhin ndryshime dhe ai më i rëndësishme ishte në rolin e drejtorit sportiv, ku Nderim Nexhipi u largua nga posti. Fatura e dështimit kalon edhe për Nexhepin, punën e vitit të fundit të së cilit e kritikon edhe vetë Safet Gjici. Presidenti i verilindorëve ka dhënë një prononcim për “MCN TV”, ku flet më tepër rreth sezonit që lamë pas, emërimit të Pero Pejiç si drejtor teknik si dhe për stadiumin e ri që është drejt përfundimit.

Nexhipi

“Për herë të parë pas 10 vitesh sezoni ishte një dështim. Zoti Nexhipi ka gati 3 vite që është te Kukësi. Padiskutim që në dy vitet e para punoi mirë, nuk ka punuar keq. Por sidomos në vitin e fundit ishte një dështim total për sa i përket merkatos. Prandaj ishte Kukësi aty ku është sot, në mes të tabelës. Ai ka dhënë dorëheqjen vetë për hir të së vërtetës, sepse nuk është faji i vetëm një personi por kanë faj të gjithë pjesëtarët e klubit në tërësinë e vetë”.

Pejiç

“Pero Pejiç  është një ish-lojtar i Kukësit. Klubi e ka marrë për të bërë menaxhimin në tërësi të klubit. Por jo vetëm të gjejë lojtarë të mirë, por edhe të shesë lojtarë, talente që ka klubi i Kukësit. Nuk e di nëse kanë përfunduar me kontratat, kanë lidhur kontratë me Pejiç apo jo. Di një gjë që Pero mund të ndihmojë ekipin e Kukësit. Dëshiroj që të gjejnë lojtarë cilësorë brenda Shqipërisë. Ajo është më produktive, sepse janë lojtarë që e njohin kampionatin shqiptar, janë lojtarë që kanë eksperiencën e duhur. Besoj që klubi po kontakton me lojtarë të mirë dhe cilësorë që bëjnë diferencën për të bërër një projekt për titullin kampion“.

Stadiumi

“Besoj që stadiumi është drejt përfundimit. Kemi vendosur edhe shtyllat elektrike dhe presim që të montohet edhe fusha dhe stolat. Është gjithçka e përfunduar sa i përket stadiumit. Besoj se në fund të gushtit kthehet ekipi në shtëpi dhe luan në shtëpi“, ka deklaruar Safet Gjici./Sport Ekspres/

 

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.