Nevil Dede sqaron zërat për Dinamon: Mendoj vetëm për Kombëtaren

Ditet e fundit është raportuar nga burime të ndryshme në media se Nevil Dede do të bëhet trajner apo drejtues te Dinamo, që po tenton të ndërtojë një skuadër të aftë të luftojë për kthim në Superiore.

Megjithatë, ish-futbollisti i njohur tashmë ka kohë që drejton Shqipërinë U-19 për femra dhe po bën një punë mjaft të mirë aty, përtej vështirësive dhe sforcimit për të gjetur futbollistë të reja brenda e jashtë vendit.

Kohë më parë Dede mori edhe drejtimin e Erzenit, por më pas hoqi dorë, pikërisht për shkak të pamundësisë për të ndërthurur dy punët, ndërkohë që nuk ka në plan të shkëputet nga kombëtarja e femrave.

Për këtë arsye, Sport Ekspres ka kontaktuar me Ish-mbrojtësi e kombëtares shqiptare, për të mësuar diçka më shumë në lidhje me këto zëra, por Dede mohon gjithçka, duke saktësuar disa gjëra.

“Është e vërtetë që unë shkoj dhe vëzhgoj stërvitjet e skuadrave të klubeve, përfshirë ekipet e moshave, por kjo nuk do të thotë që do të nis punë në këto ekipe. Jam një trajner që po grumbulloj eksperiencë dhe vëzhgimi i stërvitjeve është pjesë e procesit të zhvillimit në këtë profesion.

“Nuk kam pasur ndonjë ide për t’u shkëputur nga puna ime aktuale dhe nuk po mendoj të nis punë te Dinamo. Me kombëtaren e femrave po bëjmë një punë të rëndësishme dhe nuk dua ta lë projektin në mes”, deklaroi Dede, i cili përveç kombëtares U-19 të femrave nuk ka ndërmend të nisë ndonjë projekt të ri, aq më shumë që fundjavave është shpesh pjesë e emisioneve televizive në Supersport si analist.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *