Pas transferimit së Nejmar te Paris Seint Zhermen, Barcelona nuk po arrin t’i gëzojë si duhet paratë e përfituara nga shitja më e shtrenjtë në historinë e futbollit. Francezët paguan klauzolën me vlerë 222 milionë euro për prishjen e kontratës së yllit brazilian, një operacion që bëri shumë bujë dhe vazhdon të jetë në qendër të vëmendjes.
Këtë herë, sepse Barcelona është detyruar t’i paguajë shifrën e 6,6 milionë eurove, një punonjësi të klubit, i quajtur Andre Kuri. Lajmi është dhënë nga “SER Catalunya”, që theksoi se kjo është shuma e barazvlefshme për 3 për qind të çmimit të shitjes së kapitenit të “seleçaos” në verën e vitit 2017.
Përveçse një punonjës i klubit, Kuri është edhe një prej njerëzve të besuar të babait të Nejmar. Në momentin kur sulmuesi u transferua në “Kamp Nou”, i ati i futbollistit kërkoi me ngulm dhe arriti që në kontratë të përfshihej edhe kjo klauzolë.
Deri më tani, Barcelona kishte refuzuar gjatë gjithë kohës t’a paguante shifrën, duke pretenduar se futbollisti u largua drejt Parisit kundër dëshirës së tij. Megjithatë, në fund klubi katalan u dorëzua dhe pagoi shifrën e 6,6 milionë eurove në xhepat e punonjësit të tyre.