Nejmar ka përdorur një reklamë të një prej sponsorëve të tij të shumtë, për të pranuar se e teproi me reagimet e tij pas faulleve të pësuar në Rusi. Videoja, e publikuar dje dhe e transmetuar në Brazil, tregon sulmuesin që për herë të parë pranon kritikat për sjelljen e tij dhe premton se do të korrigjohet në të ardhmen, për të mos lejuar më që të flitet vetëm për rrëzimet, simulimet dhe protestat e tij tek arbitrat.
“Mund të mendoni se unë e ekzagjeroj. Po, ndonjëherë e ekzagjeroj. Por e vërteta është se unë vuaj në fushë”, tha Nejmar në një reklamë për Gillette, duke shpjeguar pse nuk foli pas eliminimit nga Belgjika, çka krijoi shumë polemika.
“Kur largohem pa dhënë intervista, nuk ndodh sepse dua vetëm dafina lavdie. Ndodh sepse ende nuk kam mësuar si t’ju zhgënjej.
“Kur dukem i pasjellshëm, nuk është se jam i llastuar, por sepse nuk kam mësuar si ta përballoj stresin dhe pafuqinë për të ndryshuar gjërat.
“Stili im i lojës është ai i një fëmije, që ndonjëherë magjeps botën, ndonjëherë e irriton botën.
“Po luftoj ta mbaj atë djalë gjallë brenda meje, por jo në fushë. Ju mund te mendoni se rrëzohem me shumë sesa duhet, por edhe vërteta është se unë nuk rashë. Unë u thërmova. Kjo është më e dhimbshme se çdo hap më një këmbë të operuar”.
Nejmar betohet se do të jetë një njeri i ri dhe ndryshe në të ardhmen.
“M’u desh një kohë e gjatë që të pranoja kritikat tuaja. M’u desh një kohë e gjatë që të shihesha në pasqyrë dhe të transformohem në një njeri të ri. Unë u rrëzova, por vetëm kush rrëzohet arrin të ringrihet”.
Në fund, Nejmar u kërkon tifozëve të bëjnë një zgjedhje.
“Ju mund të vazhdoni të qëlloni me gurë, ose t’i lini gurët mënjanë dhe të më ndihmoni të qëndroj në këmbë. Kur unë jam në këmbë, i gjithë Brazili është me mua”.
Një ndryshim total i yllit brazilian, i cili më 20 korrik foli për herë të parë dhe nuk pati këtë qëndrim, sepse pretendoi se ishte viktimë e standardeve të dyfishta kur luan te PSG dhe kombëtarja.