Nejmar nuk do të jetë lideri i Brazilit vetëm prej etiketimit të mediave, apo prej pritshmërive të larta që kanë njerëzit për të. Tashmë trajneri Tite ka vendosur ta “gradojë” kapiten sulmuesin e PSG-së, duke hequr dorë nga politika e tij e rotacionit. Nejmar tanimë është përfundimisht kapiteni i Brazilit.
E gjitha kjo ka ndodhur para miqësore me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ndërkohë Nejmar e ka pritur mirë këtë vendim dhe e shikon si një motivim për të. “Kam pranuar përsëri sepse kam mësuar shumë dhe do të mësoj edhe më shumë. Dhe kjo përgjegjësi do të jetë diçka e mirë për mua”, ka thënë për mediet 26-vjeçari.
Braziliani sërish nuk ka shumë dëshirë të flasë mbi atë që ndodhi, sidomos pas ndeshjes me Belgjikën. “Isha në shënjestër nga shumë kritika dhe nuk isha në rregull për të folur atë periudhë. Nëse nuk jam OK për të folur, preferoj të mos flas. Kjo sepse heshtja është përgjigja më e mirë”.
Nejmar shton: “Nuk kam shumë për të thënë rreth kritikave. Unë jam një lojtar që e marr topin 11 herë dhe në 10 raste shkoj drejt e tek kundërshtari. Mendoj se ata nuk do të më lejojnë të kaloj pa më dhënë ndonjë goditje të vogël. Unë nuk mund t’i pyes ata: ‘Hej, më falni, por më lini të shënoj’. Kam pësuar shuma faulle gjatë Kupës së Botës. Por është diçka që ka ndodhur dhe është një tjetër mësim që unë kam marrë”.
“Përgjegjësia ime është edhe më e madhe për shkak të shiritit, por nëse nuk luan mirë futboll, nuk të duhet. Dua t’u kërkoj falje tifozëve që u mërzitën me ne, pasi të humbësh është një gjë shumë e keqe. Ne besuam se mund të ishim kampionët e botës, por nuk ishte e mundur”, përfundoi kapiteni i ri i Brazilit.