Humbja e Juventusit ndaj Atletikos në Champions, ka sjellë shumë pakënaqësi te tifozët juventinë, të cilët drejtojnë gishtin nga trajneri Alegri, duke e fajësuar për rezultatin zhgënjyes dhe lojën e zhvilluar në Spanjë.
Madje, përveç kritikave të tifozëve, në media u përfol shumë se Masimiliano do të largohej dhe se zëvendësues i tij mund të ishte Zinedin Zidan. Lidhur me këto zëra, ka reaguar zëvendës presidenti i bardhezinjve, Pavel Nedved. Çeku ka thënë për mediat që një trajner nuk hiqet apo vendoset për 90 minuta.
“Nuk mund të ndryshohet trajneri për vetëm një ndeshje, qofshin këto 90 minuta të mira apo të këqija. Ka të bëjë me projektin që është nisur dhe me raportin që ke. Ka një raport të shkëlqyer mes trajnerit dhe presidentit, po ashtu dhe me drejtorët.
Alegri u takua me presidentin, siç bën shpesh në këtë kohë të sezonit, për të diskutuar mbi shumë gjëra. Në fund të sezonit, do të ulemi dhe do të flasim për të ardhmen, kontratën dhe çdo gjë tjetër.”