Gaspër Marku
Para se të startonte seanca e parë stërvitore e javës, ditën e djeshme trajneri Ernest Gjoka dhe skuadra kanë qëndruar për rreth një orë në dhomat e zhveshjes, duke diskutuar për ndeshjen e kaluar me gjirokastritët. Më pas, skuadra ka zbritur në fushën stërvitore, duke vijuar me programin e hartuar nga stafi teknik. Ngarkesa stërvitore nuk ka qenë e plotë, pasi në orën 19.00 ishte planifikuar një takim i kuqebluve me drejtuesit.
TAKIMI – Krahas skuadrës, futbollistëve dhe stafit teknik, në takimin e zhvilluar në mjediset e stadiumit Loro Boriçi merrnin pjesë edhe drejtuesit më të lartë të klubit kuqeblu, por edhe vetë numri një i qytetit të Shkodrës, kryebashkiakja-presidente e Vllaznisë, Voltana Ademi. Për ti dhënë një frymëmarrje edhe më të gjerë diskutimit, ishin ftuar edhe figura të njohura të futbollit shkodran ndër vite. Edhe pse ishin lajmëruar nga vete klubi, mediat e qytetit të Shkodrës janë lejuar të qëndronin vetëm pak minuta, sa për të marrë disa sekuenca filmike si dhe foto nga takimi, sepse më pas është kërkuar të linin sallën e konferencave të shtypit në mënyrë që analiza të vijonte pa praninë e tyre. Takimi ka vazhduar për rreth 2 orë e gjysmë dhe në këtë takim krahas drejtuesve të klubit kanë folur edhe trajneri Ernest Gjoka, pjesa kryesore e futbollistëve titullarë të skuadrës kuqeblu, kryetari i Bordit Mbikqyrës Vllaznia, Shpëtim Quku, si dhe veteran të futbollit shkodran.
DISKUTIMET Biseda në takimin e djeshëm është përqendruar jo vetëm në takimin e fundit me Luftëtarin, por edhe atë me Teutën, si dhe për ecurinë e skuadrës në tërësi. Në vëmendjen e drejtuesve dhe sidomos të kryebashkiakes Voltana Ademi ka qenë shqetësimi se ku qëndron problemi i këtyre luhatjeve. Ajo u ka kërkuar secilit prej futbollistëve të japin mendimin e tij rreth situatës që po kalon Vllaznia dhe konkretisht nëse ka ndonjë arsye madhore në marrëdhëniet mes tyre që duhet rregulluar. Gjithsesi, në diskutimet e tyre futbollistët kuqeblu kanë marrë përgjegjësitë e tyre, ndërkohë që kanë premtuar reagimin pozitiv që në ndeshjen e kësaj fundjave me Laçin.