Korçarët janë mjaft “të uritur” për Europën dhe në fushën e Mladës do të bëjnë gjithçka për rezultat pozitiv, duke i hapur rrugën kualifikimit
Leonard Trebicka
Kush më shumë e kush më pak, sot të gjithë shqiptarë do të bëjnë tifo për Skënderbeun dhe Shkëndijën e Tetovës, dy skuadrat shqiptare që vazhdojnë t’i nderojnë në kompeticionet europiane. Skënderbeu, pasi ka eliminuar Kairatin në turin e dytë, ka fituar më shumë besim në vetvete dhe synon të kalojë edhe çekët e Mladës. Trajneri Ilir Daja e ka vlerësuar maksimalisht kundërshtarin, duke i mëshuar idesë se luan fort në grup dhe nuk mbështetet tek individët, siç ishte rasti i skuadrës kazake.
GJENDJA – Skuadra korçare vjen në ndeshjen e sotme në transfetë pa mesfushorin Sabjen Lilaj, i cili është i skualifikuar, si dhe me Xhejmsin jo në 100% të formës së tij, pasi vjen nga një dëmtim që pësoi një javë më parë në Korçë. Trajneri Daja nuk ka në dispozicion po ashtu edhe sulmuesin Vujoviç. Ai ka lënë të kuptohet se do ta rreshtojë skuadrën me të njëjtën skemë loje në fushë, ku vendin e Lilajt do ta zërë Muzaka, kurse Plakut do t’i besohet maja e sulmit.
STRATEGJIA – Mbrojtja deri tani është pika më e fortë e Skënderbeu, pasi ky ekip ka pësuar vetëm një gol në 4 ndeshje, por kjo nuk do të thotë se korçarët do të luajnë në prapavijë. Siç e ka thënë shpesh trajneri Daja, Skënderbeu do të bëjë lojën e tij të zakonshme, duke u mbrojtur me kujdes dhe duke shfrytëzuar kundërsulmet e shpejta. Ai e ka studiuar kundërshtarin me detaje dhe pritet t’i përgjigjet në mënyrën më të mirë, siç bëri me Kairatin. Korçarët synojnë të hedhin një hap drejt kualifikimit që në ndeshjen e sotme, që ka një rëndësi të veçantë. Qëllimi kryesor është shënimi i të paktën një goli në fushë kundërshtare, pasi do të kishte vlera të mëdha për kualifikimin. Goditjet standarde janë një element, ku trajneri kryeqytetas ka punuar shumë gjatë përgatitjeve për transfertën e sotme me Mladën dhe pritet që ato të shfrytëzohen sa më mirë. Presioni do të jetë më i madh mbi kundërshtarin, që luan para tifozëve të vet dhe duhet të fitojë me çdo kusht, ndërsa korçarët do të zbresin në fushë pas asnjë lloj ndrojtje. Në fund të fundit, e kanë përvojën për të përballuar ndeshje të tilla të rëndësishme, qoftë edhe jashtë fushe. Sytë do të jenë te Latifi, lojtari më në formë, por në fakt gjithë ekipi është në gjendje shumë të mirë dhe solid, pavarësisht mungesave të rëndësishme të Lilajt dhe Xhejmsit.
Sot, ora 18:00
Mlada Boleslav-Skënderbeu
Stadiumi “Mestski”, Boleslav
Gjyqtarë: Alan Mario Sant, Roberto Vela, Luke Porteli (Maltë)
Gjyqtar i 4-t: Malkolm Spiteri (Maltë)
FORMACIONI
Muzaka dhe Plaku e nisin titullarë
Në fakt, ka ditë që trajneri Daja e ka vendosur si do të luajë skuadra e tij sot. Për vendin e Lilajt dhe Xhejmsit ai ka zgjedhur Muzakën dhe Plakun. Skema do të jetë e njëjtë, 4-1-4-1. Me këtë skemë trajneri Daja ia doli të ndalte Kairatin në shtëpi dhe të njëjtën gjë synon të bëjë edhe sot. Kapiteni Orges Shehi është në portë dhe para tij katërshja solide me Vangjelin dhe Micin në krahë dhe Radasin dhe Jashanicën në qendër. Tefik Osmani do të jetë para mbrojtjes dhe më pas vazhdon mesfusha me Takun në të djathtë, Muzakën dhe Nimagën në qendër, si dhe me Latifin në të majtë. I vetëm në sulm do të jetë Sebino Plaku, i cili shënoi në takimin e fundit. Ky pritet të jetë formacioni i Skënderbeut sot ndaj Mladës, duke përjashtuar ndonjë lëvizje të sekondave të fundit nga trajneri Daja.
Formacioni i Skënderbeut, 4-1-4-1
Shehi – Vangjeli Radas Jashanica Mici – Osmani – Taku Muzaka Nimaga Latifi – Plaku