Shqiptarët i gjen kudo nëpër botë, edhe aty ku nuk ta pret mendja, duke bërë profesione nga më të ndryshmet, ndaj vështirë se mund të hasësh ndonjë histori që të habit, duke qenë se kemi parë gjithçka pas ardhjes së demokracisë.
Megjithatë, një trajner shqiptar në Francë nuk është diçka e zakonshme, sepse në futbollin francez na njohin vetëm për Lorik Canën apo Edvin Muratin, ndërsa tani po njohin edhe një supertalent si Arbër Zeneli.
Për këtë arsye, biseduam me kuriozitet me një djalosh vlonjat, Asuel Dervishaj, i cili na tregoi rrugëtimin e tij nga Shqipëria për në Francë dhe përfshirjen në botën e futbollit francez, si trajner moshash për momentin.
TRANSFERIMI NË FRANCË – “Erdha në Lion në mars të vitit 2016, pasi kam një pjesë të familjes sime këtu. Viti i parë ishte shumë i vështirë në të gjitha aspektet. Ambient ndryshe, qytet i ri dhe pa shumë të njohur, por të paktën kisha familjen dhe kjo të lehtëson goxha, duke marrë parasysh që shumica e shqiptarëve kalojnë shumë peripeci, edhe për sa i përket strehimit, që për mua nuk ishte shqetësim”.
KONTAKTI I PARË ME FUTBOLLIN FRANCEZ – “Më përpara kam qenë futbollist me moshat në Vlorë, por nuk më shkonte ndërmend të merresha me trajning. Së bashku me vëllain tim, krijuam kontakte me një trajner, i cili punonte për një klub të vogël dhe e pyetëm nëse kërkonin njerëz për t’i ndihmuar në klub, në mënyrë vullnetare, pa pagesë, sepse në fillim na interesonte veç futbolli, pasioni ynë. Ai trajner na prezantoi me presidentin e FC Gerland dhe ai na mori në klub, sepse kishte nevojë për njerëz që ishin të apasionuar pas futbollit”.
FILLIMET – “Në fillim ishte goxha e vështirë, sepse ishte hera e parë që e gjenim veten në një klub dhe përgjegjësia ishte e madhe. Gerland është një ndër lagjet ikonë të Lionit, pikërisht në këtë lagje ka qenë stadiumi i vjetër i Olimpik Lionit të famshëm. Në fillim na besuan ekipin e katërt dhe më të dobëtin në nivel, në U13, me afërsisht 20 fëmijë. Këtu nisi rrugëtimi unë, sepse filluam kurset për trajner moshash”.
ECURIA – “Rezultatet në fund të sezonit i kishin kaluar parashikimet e të gjithëve në klub, sepse fituam 8 ndeshje e humbëm vetëm 4 të tilla, një arritje e konsiderueshme për ekipin më të dobët. Në sezonin 2018-2019 na besuan ekipin e tretë të U13, por gjithashtu na dhanë shansin të stërvitim ekipin e parë U17. Në dhjetor 2018 u zhvillua asambleja e përgjithshme e klubit, për të ndryshuar strukturat dhe për të zgjedhur një president të ri, të aftë të investonte më shumë në klub. Tani kemi një president të ri dhe një projekt që brenda 3 viteve synon ta kthejë klubin në një ndër 3 akademitë më të mira në Lion, sepse këtu ka mbi 20 akademi.
PUNA ME MOSHAT – “Këtë vit trajnojmë 22 fëmijë tek ekipi U13 dhe 22 fëmijë tek U17. Rezultatet kanë qenë fantastike. Me U17 pas 5 vitesh do të ngjitemi një kategori më lart. Sezonin tjetër, në 2019/2020, na është besuar totalisht ekipi U17, shpresojmë ta ngjitim në nivel edhe më të lartë. Kemi shumë punë për të bërë, por me ndryshimet në klub gjërat po përmirësohen nga dita në ditë”.
E ARDHMJA DHE ËNDRRAT – “Si vëllezër, po ndjekim të gjitha kurset e nevojshme për kualifikimet e duhura për një trajner të akademive dhe shpresojmë të arrijmë sa më lart, me vullnet, përkushtim e përulësi, sepse për një shqiptar nuk është asnjëherë e lehtë jashtë kufijve. Ndoshta një ditë, pasi të kemi eksperiencë dhe nivel të mjaftueshëm, mund të kthehemi në Shqipëri, për të dhënë një kontribut sado të vogël për futbollin tonë. Te Flamurtari? Pse jo, është ekipi i zemrës”.