Ndoshta fakti që është një skuadër shumë superiore në letër, ose ndoshta fakti që Tirana ka rënë nga kategoria, bën që te Makabi Tel-Aviv të mos e vrasin shumë mendjen për Tiranën.
Vetëm kështu mund të shpjegohet sjellja e trajnerit-drejtor Zhordi Krujf, i cili pasi ka mësuar shortin, ka komentuar për faqen zyrtare të klubit izraelit: “Skuadra nga Tirana është një skuadër që ka luajtur 5 ndeshje këtë sezon dhe është gjithnjë e vështirë të përballesh me këto skuadra kur je në fillim të sezonit. Në të shkuarën kemi parë se asnjë ekip nga asnjë komb nuk duhet nënvlerësuar dhe duhet respekt – futbolli shqiptar nuk përbën ndryshim”.
Në fakt, Tirana në fund të majit mbylli sezonin, ashtu si Makabi, dhe as miqësore nuk ka luajtur, ndaj nuk dihet cilin klub ka pasur ndërmend Krujf, por ndoshta mendon që tani për turin e dytë, ku do të përballet me SJK-në e Finlandës ose KR Reikjavikun e Islandës, skuadra që në fakt e kanë nisur sezonin prej disa javësh.