Trajneri i Juventusit, Maks Alegri, është nën akuzë në Itali. Humbja ndaj Atletikos i faturohet atij, sepse Juve sërish u soll si provinciale, pa mentalitet, pa ide e plan loje, pa personalitet dhe petk kampioni.
Kristiano Ronaldo duhej të bënte diferencën, por në Europë diferencën e bën edhe trajneri dhe sërish mediat dhe tifozet në Itali janë dorëzuar, Juve nuk ka shans as sivjet.
Megjithatë, pas ndeshjes trajneri bardhezi u shfaq i qetë para kamerave.
“Më keq se kaq nuk kishim ku shkonim. Luajtëm mirë në pjesën e parë, pastaj në pjesën e dytë e ulem ritmin dhe kjo na dënoi”.
Kualifikimi? “Nuk kemi vdekur ende, nuk ishim dorëzuar as vjet, kur humbëm 3-0, jo më këtë vit”.
Dibala dhe zëvendësimi në minutën e 80-të: “Zgjedhje që do e bëja sërish. Sot na mungoi truri. Që nesër rinisemi, kemi kampionat”.
Simeone e teproi me festimin, duke treguar organet gjenitale: “Kështu bëjnë gjithnjë”, komentoi shkurt Alegri.