“Në familje flitej vetëm shqip, ishte rregull në familje”! Lindi në Athinë, Mario Mitaj: Më lehtë miqësohem me një shqiptar se me një grek, na lidh patriotizmi

Mario Mitaj ka një lidhje të ngushtë shoqërore me Armando Brojën. Mbrojtësi i Kombëtares është parë duke u shoqëruar së tepërmi me sulmuesin e Fulham gjatë stërvitjeve të Shqipërisë në ndeshjet e marsit. Në një intervistë për Koha Shtesë, Mario Mitaj dha një tjetër rrëfim, ku foli edhe për lojtarin e Fulham. (Intervistën e plot me Mario Mitajn e gjeni më poshtë)

“Kam një lidhje të ngushtë me Armando Brojën. Për mua Broja është një lojtar i nivelit shumë shumë të lartë. Besoj se është një lojtar që mund të bëjë diferencën në fushë. E pamë edhe kundër Kilit dhe Suedisë, një rast që nuk na dhanë penallti, por mund të kishte përfunduar ndeshja 0-1 për ne. Besoj se do të jetë protagonist nëse vjen në Euro24 dhe shpresoj se do të vijë. Dëmtimi që ka pasur, e ka kaluar, problemi është vetëm që të ketë sa më shumë minuta për të fituar aspektin fizik, ky është problemi i vetëm. Kam biseduar për shumë gjëra me Brojën, edhe për Europianin. Normal që po i ruaj asistent për Europian për Brojën. Ishte offside asisti që i dhashë me Suedinë, pasi do të jetë i rregullt në Europian.

Pas ndeshjes me Suedinë, Kulusevski erdhi dhe më përgëzoi, më tha se kisha luajtur shumë mirë. Unë dua që t’i zbardh fytyrën Silvinjos, më ka besuar shumë dhe dua që t’ia shpërblej. Nga fakti që po luaj titullar te Shqipëria më besuan edhe te Lokomotiva në Rusi, ndryshe do të isha në stol atje. Juventusi? Gazetarët i fryjnë gjërat pak më shumë. Unë e dija se disa pjesëtarë të Juventusit dhe klubeve të tjera do të më shihnin në ndeshjen kundër Kilit. Por nuk e di nëse do të jetë Juventusi apo ndonjë klub tjetër në të ardhmen, megjithatë unë jam gati, e shoh veten gati, nuk kam frikë.

Që kur kam qenë i vogël, kam qenë shumë patriot. Edhe si familje kemi folur vetëm shqip në shtëpi, që ta mësojmë sa më shumë, edhe pse nuk jam lindur dhe rritur në Shqipëri. Dhe prandaj kur vi në Shqipëri është një ndjenjë shumë e bukur për mua, që të shoh vendin që e dashurojë shumë. Kam shok grek, kam edhe shokë shqiptarë, në fund të fundit të gjithë jemi njerëz. Por sigurisht që me një shqiptar mund të lidhem më shpejtë në miqësi, pasi na lidh ky patriotizmi”, tha Mitaj. /Sport Ekspres/