“Bëja një gabim dhe më ulnin direkt në stol, nuk e kuptoja trajnerin”! Mitaj i sinqertë: Të mos ishte për Shqipërinë, do rrija akoma në stol në Rusi

Mario Mitaj ka një lidhje të ngushtë shoqërore me Armando Brojën. Mbrojtësi i Kombëtares është parë duke u shoqëruar së tepërmi me sulmuesin e Fulham gjatë stërvitjeve të Shqipërisë në ndeshjet e marsit. Në një intervistë për Koha Shtesë, Mario Mitaj dha një tjetër rrëfim, ku foli edhe për lojtarin e Fulham. (Intervistën e plot me Mario Mitajn e gjeni më poshtë)

“Kam një lidhje të ngushtë me Armando Brojën. Për mua Broja është një lojtar i nivelit shumë shumë të lartë. Besoj se është një lojtar që mund të bëjë diferencën në fushë. E pamë edhe kundër Kilit dhe Suedisë, një rast që nuk na dhanë penallti, por mund të kishte përfunduar ndeshja 0-1 për ne. Besoj se do të jetë protagonist nëse vjen në Euro24 dhe shpresoj se do të vijë. Dëmtimi që ka pasur, e ka kaluar, problemi është vetëm që të ketë sa më shumë minuta për të fituar aspektin fizik, ky është problemi i vetëm. Kam biseduar për shumë gjëra me Brojën, edhe për Europianin. Normal që po i ruaj asistent për Europian për Brojën. Ishte offside asisti që i dhashë me Suedinë, pasi do të jetë i rregullt në Europian.

Pas ndeshjes me Suedinë, Kulusevski erdhi dhe më përgëzoi, më tha se kisha luajtur shumë mirë. Unë dua që t’i zbardh fytyrën Silvinjos, më ka besuar shumë dhe dua që t’ia shpërblej. Nga fakti që po luaj titullar te Shqipëria më besuan edhe te Lokomotiva në Rusi, ndryshe do të isha në stol atje. Juventusi? Gazetarët i fryjnë gjërat pak më shumë. Unë e dija se disa pjesëtarë të Juventusit dhe klubeve të tjera do të më shihnin në ndeshjen kundër Kilit. Por nuk e di nëse do të jetë Juventusi apo ndonjë klub tjetër në të ardhmen, megjithatë unë jam gati, e shoh veten gati, nuk kam frikë.

Në fillim nuk kam luajtur shumë te Lokomotiva e Moskës. Më fusnin një ndeshje, bëja një gabim dhe ndeshjen tjetër isha në stol. Ishte një gjë që nuk e kuptoja. Nuk është se nuk luaja mirë, por nga një gabim, ulesha në stol ndeshjen tjetër. Të mos ishte Shqipëria besoj se do të isha çdo ndeshje në stol te Lokomotiva. Kjo më ka bërë dhe mua shumë përshtypje në Rusi, që përse nuk më fusnin. Gjithsesi është zgjedhje e trajnerit, ndonjëherë kuptohej, ndonjëherë nuk kuptohej”, tha Mitaj. /Sport Ekspres/