Kur politika e shfrytëzon fenë dhe e shtrembëron atë sipas qejfit, rreziku për popujt shumëfishohet. Në Iran kjo përzierje e frikshme ka dekada që ndodh, si në gjithë vendet e rajonit, ndërsa protestat dhe pakënaqësia e popullit shpesh shtypen me dhunë.
Para pak ditësh në Iran ndodhi diçka historike, sepse për herë të parë pas 4 dekadash stadiumi u hap edhe për femrat. Ndeshja miqësore Iran-Bolivi hyri në histori, sepse 300 femra u lejuan të ndjekin ndeshjen dhe ishte një fitore e madhe për gjithë Iranin, që nga viti në vit i ka shtuar protestat për një vendim qesharak dhe pa asnjë lidhje me fenë.
Megjithatë ndryshimi nuk ndodh kaq lehtë dhe ka gjithnjë rryma të forta kundër, me njerëz mendjeshkurtër që fatkeqësisht kanë pushtetin.
Prokurori i përgjithshëm i Iranit, Mohammad Jafar Montazer, e sheh me përçmim praninë e femrave në stadiume dhe ka dalë me një urdhër të bujshëm: “Jam kundër pranisë së femrave në stadiume. Jemi shtet mysliman. Për një femër të shkuarit në stadium për të parë meshkuj gjysmënudo është sjellje për t’u censuruar. Do veprojmë kundrejt çdo funksionari që do të lejojë hyrjen e femrave në stadiume”.
Me pak fjalë, një pushtetar vendos çfarë është e mirë dhe çfarë është e keqe për popullin dhe për t’i bindur të gjithë, i vë vulën “se e ndalon feja”. Nuk ka rëndësi çfarë mendon populli, nuk ka rëndësi që quhet SPORT, dhe jo paradë meshkujsh nudo, në Iran ka ca zotërinj që e dinë mirë çfarë duhet të bëjnë femrat për të qenë të ndershme…