Jorge Mendesh transferoi në verën që lamë pas Kristiano Ronaldon dhe Zhoao Kanselon në Torino, por bashkëpunimi i tij me “Zonjën e Vjetër” mund të mos ndalet me kaq. Siç bëjnë me dije mediat angleze, një tjetër klient i tij mund të fluturojë drejt Juventusit në verat e ardhshme.
Bëhet fjalë për portierin e Mançester Junajtid, David De Gea. Portieri i Kombëtares së Spanjës nuk po rinovon me “djajtë e kuq” dhe kjo gjë ka bërë që në Itali të mendojnë se mund ta “blindojnë” portën nëse do të afronin dhe 27-vjeçarin.
Gjithsesi, nuk duhet të jetë dhe aq e lehtë për drejtuesit e Juves, të cilët kanë shërbimet e dy “gardianëve” mjaft të dalluar siç janë Shezni dhe Perin. Nëse De Gea do të marrë rrugën drejt Torinos, me siguri njëri prej tyre do të largohet.