Ndeshja e javës së 26-të mes Korabit e Dinamos në zonën Play-off të Grupit A, e planifikuar që të luhej në Dibër, ka ndërruar stadium. Drejtuesit e të dy skuadrave janë dakordësuar që kjo ndeshje të luhet në stadiumin e Kamzës, ditën e shtunë në orën 17:00.
Në një postim të klubit kryeqytetas në rrjetet sociale, shkruhej se shkak është bërë stadiumi i Korabit që nuk është në një gjendje të mirë. Presidenti i klubit dibran, Fehmi Mëziu, deklaron për SportEkspres.com se kjo ishte kërkesa e tyre në FSHF.
“Duke qenë se fusha jonë ka patur shumë ngarkesë këtë stinë dimri që kaluam, njëherësh edhe nga ndeshjet e shumta, tapeti i fushës është dobësuar shumë. Ky stadium është ndërtuar në vitin 1973 dhe që atëhere askush nuk ka vënë dorë në ambientet e tij dhe në fushën e lojës. Kjo është arsyeja pse ne vendosëm që me Dinamon të luajmë në një fushë tjetër. Kamza ishte alternativa më e mirë”, thekson presidenti i skuadrës dibrane, Fehmi Mëziu.
Ndërsa për ndeshjen me Dinamon, ai deklaroi se synimi i tyre është i dyfishtë: aktivizimi e disa futbollistëve të rinj dhe arritja e fitores. “Tashmë ne e kemi mbyllur synimin e këtij sezoni e kryesisht në fazën e tretë kemi aktivizuar disa futbollistë të rinj, të cilët do na shërbejnë për sezonin tjetër. Por, synimi ynë ndaj Dinamos është fitorja dhe për këtë unë jam i bindur se do ta arrijmë”.
AGRON KAJA