Ndryshimi rrënjësor i infrastrukturës sportive në Lushnje, Duka: Ndër komplekset më të mira në vend

Një nga investimet më të mëdha të Federatës Shqiptare të Futbollit në infrastrukturën e Lushnjes po merr formë me ritme shumë të shpejta, teksa një fushë ka përfunduar dhe tre të tjera janë në punime e sipër, përfshirë këtu edhe fushën e stadiumit “Roza Haxhiu”.

Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, së bashku me Kryetaren e Bashkisë së Lushnjes, Eriselda Sefa dhe deputetin Taulant Balla kanë inspektuar së bashku ditën e sotme punimet në këto terrene, që i kanë dhënë një tjetër pamje qytetit të Lushnjes.

Në një prononcim për Fshf.org, Presidenti Duka falënderoi fillimisht kryetaren e Bashkisë, znj. Eriselda Sefa dhe deputetin e qarkut Fier, z. Taulant Balla për bashkëpunimin në këtë projekt, ndërsa flet edhe për ndërhyrjet në këtë qytet.

“Kemi qenë edhe një muaj më parë me kryetaren e Bashkisë, ndërsa sot kemi edhe deputetin e zonës, z. Balla, të cilin dua ta falënderoj për mbështetjen në përgjithësi të këtij projekti, kryetaren gjithashtu për bashkëpunimin shumë të mirë që në fillim dhe jo vetëm për fillimin, por edhe për ndjekjen e projektit. Kemi përfunduar tashmë me fushën e stërvitjes para stadiumit dhe tani po shohim vazhdimin e projektit. Pa dyshim që ne do të rikonstruktojmë fushën brenda stadiumit, në fushën tjetër pas stadiumit ka filluar puna, ndërsa fusha e katërt pritet të fillojë brenda një kohe të shkurtër. Kemi disa procedura shpronësimi nga Bashkia që i ka vendosur në rrugën e duhur. ‘Oreksi vjen duke ngrënë’, Lushnja nga një stadium pothuajse inekzistent është bërë tashmë me 5 fusha stërvitje dhe tani duhet edhe ta përmirësojmë apo të krijojmë kushte komode për të gjithë ata që marrin pjesë”.

Më tej, Presidenti i FSHF-së flet edhe për projektet e ardhshme në këtë qytet, me shkallët e stadiumit që do të rikonstrukturohen dhe stadiumin që do të pajiset me ulëse të reja. “Bashkë edhe me kryetaren, znj. Sefa dhe z.Balla po diskutonim për projektet e ardhshme, që edhe shkallët e stadiumit të jenë të rikonstruktuara për kampionatin tjetër dhe me sedilje normale, për një stadium të këtij niveli. Këtu nuk bëhet fjalë më për një fushë, por bëhet fjalë për infrastrukturën sportive të qytetit të Lushnjes për shumë vite të ardhshme dhe besoj se do jetë nga infrastrukturat më të mira”.

Në fund, kreu i qeverisë së futbollit shqiptar bën sërish një thirrje për të gjitha Bashkitë për të bashkëpunuar në projekte të ndryshme për të zhvilluar futbollin shqiptar. “Kjo nuk është një sjellje e Federatës thjesht me Bashkinë apo me Kryetaren e Bashkisë. Bëhet fjalë për një bashkëpunim me çdo lloj bashkie që dëshiron të punojë me ne dhe mbështet projektet tona. Në fund të fundit, kjo është detyra jonë, të zhvillojmë futbollin, të kemi një infrastrukturë sa më të mirë dhe të kemi sa më shumë fëmijë që t’i bashkohen lojës sonë” – përfundon Presidenti Duka.

Deputeti Taulant Balla vlerësoi bashkëpunimin mes FSHF-së dhe Bashkisë Lushnje, që me këtë investim të rëndësishëm ka bërë të mundur realizmin e një kompleksi të nevojshëm sportiv për të gjitha moshat.

“Ka mbaruar njëra fushë, vazhdon puna në fushën tjetër. Sapo të mbarojë shpronësimi dhe rrethimi nga ana e Bashkisë Lushnje do të nisë puna për fushën e tretë. Njëkohësisht ka mbaruar së ndërtuari edhe fusha e Plugut, kështu që i bie të kemi 5 fusha të reja në Lushnje që përmbyllin një fazë të parë të një kompleksi të nevojshëm sportive të të gjitha moshave. Falë këtij bashkëpunimi mes Bashkisë së Lushnjes dhe Federatës Shqiptare të Futbollit pas disa muajve në fillim të edicionit të ri besoj që do të jemi në kushtet që stadiumi i Lushnjes do të jetë një stadium që do të mirëpresë edhe ekipet kombëtare të moshave”, – tha Taulant Balla.

Kryetarja e Bashkisë së Lushnjes, Eriselda Sefa, në prononcimin e saj theksoi se me ndërhyrjet që po bëhen në infrastrkturën sportive në këtë qytet po i ndryshohet tërësisht zonë përreth stadiumit. “Pas një kërkese të kahershme të qytetarëve të Lushnjes, falë bashkëpunimit me federatën Shqiptare të Futbollit ne kemi filluar punën dhe kemi përfunduar njërën prej fushave madje. Tani po vazhdon puna për ndërtimin e fushës së dytë dhe më pas do të vazhdohet me fushën e stadiumit dhe me një fushë tjetër. Mendojmë që me gjithë këto ndërhyrjet, por edhe me ndërhyrjet që ne do të fillojmë së shpejti në pjesën anësore dhe pjesën e parkimit, do t’i japim një pamje tjetër të gjithë kësaj zone. Pra do të kemi një rivitalizim të gjithë zonës së stadiumit, por edhe përreth saj”, – u shpreh kryebashkiakja e Lushnjes.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online