Luftëtari nuk është në një moment aspak të mirë, teksa problemet me financat i kanë shtyrë një pjesë të madhe të lojtarëve që të kërkojnë largimin. Janë pranuar edhe nga vetë pjesëtarët e klubit bluzi se kanë muaj pa u paguar, madje kanë veçuar se nëse nuk zgjidhet kjo situatë atëherë në janar mund të shohim me revolucion në skuadrën gjirokastrite.
Gjithsesi, drejtuesit kanë premtuar se situata do të zgjidhet, madje ata kanë lëvizur duke emëruar në rolin e drejtorit sportiv Gentjan Nora. Ky i fundit ka qenë për tre vite pjesë e skuadrës së Luftëtarit, por në muajt e fundit kishte preferuar që të qëndronte në hije, ndërsa tashmë është rikthyer në pozicionin që e ka mbuluar dhe më parë.
Nora ka qenë pikërisht ”arkitekti” që ka ndërtuar skuadrën në dy edicionet që gjirokastritët i befasuan të gjithë. Roli i drejtorit sportiv është mbuluar nga zëdhënësi i shtypit Rigel Malile, por siç mësohet ky i fundit është larguar nga detyra.