Kombëtarja U-21 vazhdon përgatitjet në kuadër të dy ndeshjeve të radhës në eliminatoret e EURO 2023 ndaj Sllovenisë dhe Kosovës, që të dyja këto sfida në transfertë. Nën drejtimin e trajnerit Alban Bushi kuqezinjtë kanë zhvilluar një seancë stërvitore pasditen e hënës në fushën e “Olimpik Park” në Durrës. Gjatë pasdites i gjithë grupi është kompletuar dhe të gjithë lojtarët mbërritën në grumbullim.
Një grup i vogël i përbërë nga lojtarët të cilët janë aktivizuar me klubet gjatë të dielës ka zhvilluar stërvitje të diferencuar, ndërsa pjesa tjetër është stërvitur rregullisht. Departamenti i Komunikimit në FSHF bën me dije se futbollisti Tedi Cara ka pasur probleme fizike dhe me të ardhur në grumbullim i është nënshtruar ekzaminimeve përkatëse.
Pas konsultave me stafin mjekësor të Kombëtares U-21 u konkludua se Cara nuk mund të rikuperohet për këto dy ndeshje. Kësisoj, stafi teknik vendosi që sulmuesi të largohet nga grumbullimi dhe në vend të tij është thirrur futbollisti Arinaldo Rrapaj i Partizanit.