“Ndryshe në tryezë e ndryshe jashtë”, Kokëdhima sulmon hapur Gjicin: Falsifikon rrogat e lojtarëve, paguan më pak se ne

Koço Kokëdhima ka dalë me një deklaratë të fortë kundër presidentit të Kukësit, Safet Gjicit. Kreu i Apolonisë ka qenë i ftuar në emisionin “Ora Sport”, ku ka sulmuar homologun e tij për faktin se është sjellë me dy standarte. Sipas Kokëdhimës, Gjici ka mbajtur qendrime të tjera në tryezën e Ligës Profesioniste dhe të tjera jashtë saj, nisur nga fakti se ka bërë publike se është kunër bojkotit. Madje nuk nguron të lëshojë akuzën se presidenti i nderit të verilindorëve falsifikon pagat e lojtarëve, duke derdhur më pak shpenzime se vetë Apolonia që një vit më parë garonte në Kategorinë e Parë të futbollit shqiptar.

“Ka manifestuar një nivel shumë të ulët kulturor në të gjithë këto implikime, ndryshe në tryezën e Ligës dhe ndryshe jashtë saj. Padyshim e bën për arsye politike sepse është një person në lidhje të ngushta me qeverinë, përpiqet të manipulojë opinionin publik.

Në vitin 2019 klubi i Kukësit ka paguar 211 milionë lekë të vjetra rroga dhe sigurime shoqërore, Apolonia 270 milionë. Apolonia në 2019 ka qenë në mes të tabelës në Kategorinë e Parë, Kukësi ka qenë nënkampion i Kategorisë Superiore. Kukësi ka paguar 25% më pak paga dhe sigurime shoqërore se Apolonia, mendoni vërtet se ka paguar më pak? Jo, ka gënjyer dhe gënjen. Ky është shembulli i klubeve që falsifikojnë rrogat e lojtarëve.

Është çështje madhore, nuk është çështje për presidentët e klubeve të futbolleve, kjo është çështje themelore për Shqipërinë. Kam pritur shumë prej tyre, zoti Fidel nuk është përfaqësuesi jonë por i qeverisë, fuqia e plotë e të cilit deri tani nuk na ka ofruar asnjë zgjidhje për këto çështje që diskutuam bashkë”, ka deklaruar Koço Kokëdhima./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *