Trajneri i Kamzës, Ramadan Ndreu e sheh si të merituar pikën e marrë në Korçë. Për “Supersport” tekniku i Kamzës shprehet mjaft i lumtur që ka fatin të bashkëpunojmë me lojtarët që ka në dispozicion, por dhe drejtuesit që po bëjnë një punë mjaft të mirë.
“Ishte një ndeshje e mirë në fazën mbrojtëse. Ishte e vështirë, ndaj u tërhoqëm pas, duke ndërtuar një strategji që do të na lejonte të përfitonim nga hapësirat në kundërsulm, që nuk na munguan. Pësuam një gol nga goditja e dënimit, ku gabuam, por gjetëm forcë për të barazuar dhe jam shumë i kënaqur. Në momentin e golit nuk kishim ç’të bënim, por nisëm të luanim dhe më pas Idrizaj pati një ide fantastike me atë pasim nga mesfusha, duke gjetur Plakun. Mendoj se është një barazim i merituar, ndaj një rivali mjaft të fortë”.
“Skuadra? Është e shkëlqyer, djem seriozë, shumë punëtorë dhe të disiplinuar, ndaj gjej rastin t’i falënderoj. Klubi po na mbështet në mënyrë të shkëlqyer, në aspektin financiar, në atë të organizimit, në atë të premiove. Mendoj se do të vazhdojmë kështu, skuadra është e shkëlqyer dhe sot luanim edhe pa qendërmbrojtësin e rëndësishëm Fushtar. Nuk jam i shqetësuar për të ardhmen, duhet të shohim vetëm për fushën”.
“Synimet? Ne duhet të kërkojmë pikët për të siguruar qëndrimin në kategori. Ky kampionat ka treguar se mjafton pak për të zbritur në zonën e ftohtë, por nëse vazhdojmë kështu, do të synojmë edhe kupat e Europës”.