Magani: Bëmë gjithçka si duhet sot, llogaritë në fund të vitit

0

Trajneri Gugash Magani tregon se skuadra e tij është në rrugën e duhur pas fitores me Vllazninë, megjithatë se ka ende punë për të bërë? Në lidhje me objektivat, tekniku peqinase nuk heq dorë, por thekson për “Supersport” se ende skuadra nuk e ka një mentalitet fituesi.

“Më në fund po marrim pikë të rëndësishme, sepse deri tani kemi shënuar gjithnjë të parët, por kemi lëshuar shumë pikë. Sot bëmë gjithçka si duhet, morëm një fitore të rëndësishme”.

“Synimet? Nuk heqim dorë nga objektivat, por edhe dy ndeshjet e para të kampionatit i fituam dhe fluturuam, ndaj duhet të bëjmë kujdes, të mendojmë vetëm për ndeshjen e radhës. Llogaritë bëhen në fund të vitit dhe më pas në fund të sezonit, për të parë ku jemi në krahasim me objektivat që kemi”.

“Qetësia në skuadër? Mungon ende, sepse skuadra është e re, që ka nevojë për kohë. Nuk jemi ende një skuadër e aftë të luftojë si skuadrat e kreut, sepse nuk shënojmë shumë dhe pësojmë gol me lehtësi. Taktikisht disa lojtarë bëjnë gabime dhe duhet shumë punë për të ndryshuar dhe për të pasur një mentalitet fitues”.

“Të luajturit në Durrës, problem? Në fakt, po, 7 pikë i kemi marrë jashtë e 7 në Durrës. Mendoj se luajmë më mirë jashtë, shprehemi më mirë, ndërsa në Durrës hasim vështirësi”.

“Merkatoja? Klubi ka të gjitha kapacitetet financiare për të bërë merkato, nuk kam pasur asnjë problem me klubin në këtë aspekt. Megjithatë, do të duhet të jemi shumë të qartë te pjesa e merkatos dhe në momentin e duhur do të bisedojmë, sepse duhet shumë kujdes me ndryshimet, nuk mund të bëjmë prapakthehu duke ndryshuar shumë lojtarë në skuadër”.

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.