Kamza mahnit, javë pas jave, ndërsa tashmë ta quash një surprizë kalimtare është gabim i madh. Fitorja e bukur arritur sot në Durrës ka konfirmuar se skuadra e drejtuar nga Ramazan Ndreu është me meritë në vendet e para dhe nuk i vendos më limite vetes, edhe pse trajneri tregon maturi në deklarata, duke folur pas ndeshjes në “Gol pas goli” në Supersport.
“Jam i kënaqur. Skuadra e menaxhoi mjaft mirë ndeshjen dhe lojtarët treguan karakter, sepse nuk është e lehtë të administrosh avantazhin dhe të mos kalosh në eufori, sidomos kur kundërshtari mbetet me 10 lojtarë.
“Kaosi në fund të takimit? Varet nga ndeshja, në Gjirokastër luajtëm me 10 lojtarë për shumë minuta dhe fituam. Rëndësi ka që morëm tre pikët, ato na duhen në radhë të parë, duke parë renditjen.
“Objektivi? E kam deklaruar që në fillim se ky grup lojtarësh, nëse luan në maksimumin e vet, mund të bëjë gjëra të shkëlqyera. Me kalimin e kohës skuadra po bëhet gjithnjë e më kompakte, sepse është një skuadër e re, që ka nevojë për kohë. Ritmi është i duhuri, synimi është të qëndrojmë mes 4 skuadrave të kreut. Ndoshta kemi marrë vendin e dytë, por pjesa më e vështirë është ta ruash atë.
“Rënia e lojës pas daljes së Dediç me karton të kuq? Ishte çështje presioni, nuk ishte taktikë e jona që të tërhiqeshim pas. U thashë lojtarëve që të luanin si në pjesën e parë, pa u tërhequr dhe duke qarkulluar topin, por ishte rritja e presionit që çoi te tërheqja pas.
“Merkatoja e janarit, mund të rregullohet ndonjë gjë? Skuadra ka shumë pak nevojë për ndërhyrje. Në ndeshjet e fundit na ka munguar edhe Fushtar, një lojtar shumë cilësor dhe i rëndësishëm. E duan disa klube, ndoshta, por nuk ka asnjë shans që të largohet, sepse është futbollist nën kontratë dhe nuk lëshojmë lojtarë. Varet nga shumë gjëra, por ne nuk e kemi luksin të lëshojmë lojtarë në mes të sezonit.
“Një pozicion ku mund të përforcohet Kamza? Ndoshta do të duhej një mesfushor cilësor, i aftë të ndërtojë lojën dhe të nxjerrë skuadrën përpara. Të shohim në janar.
“Penalltia e pretenduar nga Teuta në minutën e 75-të? Mund të jetë faull, pa diskutim që Idrizaj ka gabuar në këtë rast. Megjithatë, prej fillimit të sezonit kemi pasur edhe shumë episode kundër. Janë gabime krejt normale në futboll”.