Magani: Nuk dhamë asgjë. Kartoni i kuq, nuk ia fal Dediçit

0

Trajneri i Teutës, Gugash Magani, ka mbetur mjaft i zhgënjyer nga humbja kundër Kamzës, duke evidentuar lojën e dobët të skuadrës së tij dhe duke kritikuar ashopër edhe mesfushorin Dediç, i cili la skuadrën me 10 lojtarë.

“Luajtëm një ndeshje shumë të dobët, Kamza e meritoi plotësisht fitoren. Skuadra u fut me besim të tepruar në fushë, ndoshta duke marrë shkas nga ndeshja e mirë në mesjavë në Kamzë, për kupë. Ndoshta kam gabuar edhe unë në disa zgjedhje, marr përgjegjësinë time, por nuk mund të toleroj disa gabime foshnjarake në fushë, sidomos në rastin e kartonit të kuq. Është hera e dytë që Dediç na lë me 10 lojtarë për faj të vet, jo për faj të arbitrit. Kam pasur shumë besim dhe kam ende besim te Dediç, por tashmë do të dënohet, nga Disiplina dhe nga mua. Edhe Lena gaboi, i kam bërë vërejtje dhe do të analizojmë gjithçka. Megjithatë, ne nuk dhamë asgjë në fushë dhe do të marrim masa. Nuk dua të justifikohem, por kam rezerva për një 11-metërsh ndaj Lenës. Për mua është penallti, duket qartë nga pamjet filmike.

“A ka pasur eufori skuadra? Po, besoj se skuadra ka qenë në eufori, bën disa ndeshje të mira dhe pastaj pëson një rënie të frikshme. Do të ndalemi gjatë te kjo ndeshje, edhe pse nuk kemi kohë dhe ndeshja tjetër është në prag. Duam ta mbyllim vitin sa më lart të mundemi dhe në janar do të vendosim për shumë gjëra.

“Sulmi shënon pak? E vërtetë, por në radhë të parë ne pësojmë gola që nuk duhet të pësohen. Ky është problemi kryesor, edhe pse është e vërtetë që nuk kemi një golashënues në skuadër. Megjithatë, së pari duhet të mos pësosh gol, sepse sulmi herët a vonë do shënojë. Sot mendoj se barazimi ishte rezultati më i drejtë.

“Mungesa e liderit? Çështja është te sjellja e gjithë skuadrës, që nuk reagon kur është në vështirësi dhe kjo më habit. Kemi lojtarë me eksperiencë, që duhet të marrin përsipër përgjegjësi, por ata, si gjithë skuadra, kanë luhatje nga ndeshja në ndeshje. Futbolli është diçka kolektive, e gjithë skuadra duhet të veprojë në mënyrë uniforme.

“Kërkesa për skuadrën para ndeshjes? Duke parë terrenin e rënduar, kërkova më pak vrap e më shumë pasime, për të mos shpenzuar energji. Kjo nuk u realizua, sepse që në fillim skuadra luajti me topa të gjatë dhe Kamza i kontrollonte qetësisht”.

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.