Në Japoni, klubet e futbollit janë shumë strikte përsa i përket thyerjes së rregullave nga pjesëtarët e skuadrës. Futbollisti më i fundit, i cili e ka pësuar është Shunki Takahashi, një mbrojtës në skuadrën e Visel Kobes, ekip ku aktivizohet ish-mesfushori i Barcelonës, Andres Iniesta.
Takahashi është dënuar, pasi i dërgoi një mesazh një miku të tij, ku e lajmëroi se Iniesta nuk do të luante në ndeshjen e radhës në kampionatin japonez. Gjithçka mund të kishte kaluar pa shumë zhurmë, por miku i futbollistit japonez vendosi që të shpërndante menjëherë lajmin në rrjetin social “Twitter”.
Lajmi bëri bujë dhe drejtuesit e klubit arritën të zbulonin se kush e kishte nxjerrë informacioni. Lojtari është pezulluar për një periudhë kohore 1-mujore, ndërsa klubi u garantoi fansave se të tilla incidente nuk do të përsëriten më.