Milani e nisi merkaton duke afruar dy kroatët: Ivan Striniç dhe Alen Haliloviç. Më pas ndodhën ndryshime në klub, kinezët u larguan dhe bashkë me to dhe Fasone me Mirabelin. Ndoshta është rastësi, por edhe dy blerjet e ish-drejtuesve, po i ndjek fati i keq.
Striniç u diagnostikua me probleme në zemër dhe atij i duhet të heqë dorë nga futbolli për një periudhë të pa përcaktuar. Me valixhe në duar shihet dhe Alen Haliloviç. Siç citon spanjollja “El Mundo”, 22-vjeçari është pranë largimit nga kuqezinjtë.
Ardhjet e Kastihejo dhe Laksalt reduktojnë hapësirat e kroatit dhe ai po negocion me klubet e Espanjolit dhe Gironës. Dy klubet spanjolle interesohen për shërbimet e lojtarit, i cili në fillim të verës, firmosi deri në vitin 2021 me Milanin.
Haliloviç shihej si një nga talentët më të mëdhenj të futbollit kroat, por karriera e lojtarit të talentuar nuk është ngjitur në nivelet e kërkuara. Milani i dha një shans, duke e afruar nga Hamburgu, por ai mesa duket është “dorëzuar” dhe kërkon një klub ku mund të luajë rregullisht.
Në vitin 2013, kur nuk kishte mbushur akoma 17 vjeç, Haliloviç u bë lojtari më i ri në historinë e Kroacisë, që debutoi me kombëtaren e madhe.