Sulmuesi i Liverpulit, Roberto Firminjo, ka shënuar një gol të mrekullueshëm. Jo në fushën e blertë, por në fushën e jetës. Braziliani ka ndihmuar një familje braziliane, fëmijët e të cilëve po luftojnë me jetën. Vëllezërit, njëri 6-vjeç dhe tjetri vetëm 1-vjeç, vuajnë nga një sëmundje e rrallë e quajtur atrofia muskulore spinale (AMS), një sëmundje e rrallë gjenetike, shpesh fatale, që komprometon forcën muskulore dhe lëvizjet.
Kurimi i saj është i shtrenjtë dhe prindërit e dëshpëruar kishin nisur një fushatë në rrjetet sociale, për të grumbulluar 1 milionë euro, shumë e nevojshme për kurimin e vogëlushëve të tyre. Fushatës u janë bashkuar shumë brazilianë: njerëz të thjeshtë e të famshëm. I fundit që i është bashkuar nismës, është sulmuesi brazilian, i cili ka dhuruar 67 mijë euro për kurimin e vëllezërve. Larisa Pereira, gruaja e Firminjos, ka shkruar një mesazh duke konfirmuar ndihmën e tyre. “Do të dhurojmë pjesën që mungon për nisjen e terapive (diçka më shumë se 67.000 euro).”
Nuk ka munguar as reagimi i nënës së fëmijëve të vegjël, e cila komenton në një video falënderimi. Të gjithë familjarët shihen me bluzën e Firminjos veshur, në shenjë falënderimi për gjestin e tij.
“Nuk më kanë pushuar lotët, pasi kishim kohë që e prisnim këtë moment. Ju falënderoj të gjithëve për ndihmën. Kemi marrë donacione nga 5, 10, 20 reales dhe jo vetëm. Kemi ndjerë lutjet, dhembshurinë, dashurinë dhe solidaritetin e të gjithëve. Kjo është një FITORE e jona. Na kanë ndihmuar baballarë, nënat, miqtë, gjyshërit. Kemi marrë donacione nga e gjithë bota”, shkruajnë prindërit në falenderimin kundrejt të gjithëve që kanë kontribuar për të shpëtuar jetët e dy engjëjve të vegjël.
https://www.instagram.com/p/BmKC27ah9T5/?utm_source=ig_embed&utm_campaign=embed_loading_state_control