Nga Klaudio Ndreca
Një stërvitje tërësisht e pazakontë është ajo që po praktikon Juventusi, teksa është duke u përgatitur për ndeshjen e radhës kundër Milanit. Trajneri Sarri ka menduar që të thërrasë lojtarët në mbrëmje për t’i ambientuar me orarin që do të luhet edhe përballja me kuqezinjtë.
Paulo Nedved dhe Fabio Paratici janë shfaqur me makinat e tyre private në “Allianz Stadium”. Ndërkohë në orën 20:30 ka nisur edhe lëvizja e futbollistëve për të vazhduar me stërvitjen e tyre normale në fushë. Mes tyre ka qenë i pranishëm edhe Xhakomo Vrioni, sulmuesi i Shqipërisë, që ka një shans të artë. Gonzalo Higuain është i dëmtuar dhe për këtë arsye Sarri do të hedhë vështrimin nga U-23, atje ku gjen edhe lojtarin shqiptar.
Në grup është zhvilluar edhe një ndeshje me nga 30 minuta secila, ku trajneri ka parë përgatitjen e fituar nga futbollistët në këtë kohë. E gjithë përgatitja dhe përballja ka vazhduar deri në orën 22:20, ku më pas të gjithë janë shpërndarë për t’u kthyer në shtëpi. /Sport Ekspres/