Nderimi, “Honoris Causa” dhe “Medalje Ari” për Orges Shehin

Universiteti i Korçës “Fan S.Noli”, më 13 tetor nderon me titullin më të lartë kapitenin e Skënderbeut. Shehi: Jam krenar, ndihem shumë i vlerësuar

Fatjon Rupi

I ka fituar të gjitha në Korçë. Që nga titujt e shumtë kampion, Superkupa Shqipërie, përfaqësim dinjitoz në Champions League dhe Europa League. Pas tërheqjes së Bledi Shkëmbit mban shiritin e kapitenit të Skënderbeut, por tjetër vlerësim i madh do të vijë vetëm pak ditë më vonë për gjithçka ka barë “gardiani” Orges Shehi. Më 25 shtator mbushi 40 vjeç, më parë mendoi tërheqjen, por kërkesa e klubit për të mos e lënë futbollin e bëri Shehin të jetë sërish në fushë. 8 vitet në Korçë janë më të suksesshmet për të dhe sigurisht që nuk ka për t’i harruar kurrë. Asgjë nuk ka përfunduar, pasi Shehi vazhdon të jetë në një nivel të lartë, sikur të ishte djalë i ri, me dëshirë më të madhe dhe vullnet njësoj si në hapat e para të karrierës.

TITULLI – Në Korçë kanë përgatitur një vlerësim të madh për Shehin. Universiteti “Fan S. Noli”, një nga universitetet më me emër në Shqipëri, më 13 tetor ka menduar ta nderojë Orges Shehin me një ceremoni të veçantë, ku do t’i jepet titulli më i lartë “Honoris Causa”. “Sport Ekspres” mëson detajet e këtij vlerësimi dhe nderimi që i bëhet kapitenit të Skënderbeut. Eshtë një titull, që më parë e kanë marrë dekanë, akademikë, njerëzit të tejrë të nderuar, ndërsa më 13 tetor e merr një sportist unikal. Emri i Orges Shehit do të mbetet ndër legjendat e Skënderbeut, por edhe jashtë fushës për të është maksimal.

UNIVERSITETI – Drejtuesit më të lartë të Universitetit “Fan S. Noli” në Korçë dje kanë zbuluar se është miratuar me 100% të votave në këshillin drejtues të universitetit dhënia e titullit “Honoris Causa” për portierin e Skënderbeut. Më 13 tetor 2017 është parashikuar të zhvillohet një ceremoni e madhe në ambientet e Universitetit të Korçës, ku të ftuarit do të jenë të shumtë dhe pjesa me e madhe e tyre njerëz të sportit. Shehi do të nderohet me titullin “Honoris Causa”, që do të shoqërohet me “Medaljen e artë” të këtij universiteti. Ky është titulli më i lartë i këtij universiteti, ku Orges Shehi ka kryer studimet e larta para disa vitesh dhe është diplomuar. Duke qenë ish-student dhe për kontributet e dhëna për qytetin e Korçës, ky universitet ka menduar t’i japë këtë titull. Në fakt, është kompetencë e vetë universitetit dhe nuk varet nga ministria përkatëse. Dy ditët në vijim do të jetë rektori Universitetit “Fan S.Noli”, Ali Jashari, ai që do të formulojë motivin e këtij titulli të lartë dhe më pas do të bëhet çdo gjë publike për mediet. Kapiteni i Skënderbeut, pas gati 10 ditësh, do të jetë njeriu më i nderuar i qytetit dhe e ka merituar plotësisht.

Portieri, mes emocionesh: Një nder i jashtëzakonshëm!

Pasi ka mësuar lajmin në fjalë, ka folur vetë protagonisti për “Sport Ekspres”. Orges Shehi, për titullin që do të marrë më 13 tetor është shprehur: “Është vlerësim vërtet shumë i madh. I falënderoj të gjithë për këtë nder kaq të madh që po më bëjnë. Ndjehem krenar nga ky vlerësim. Kam 8 vite që ndodhem në Korçë dhe pavarësisht se jetoj në Durrës, e them me sinqeritet se tani jam gjysmë durrsak dhe gjysmë korçar. Ky titull është një shkallë vërtet e lartë vlerësimi dhe kënaqësia nuk ka fund në të tilla raste. I falënderoj edhe njëherë të gjithë pjesëtarët e Universitetit të Korçës, që nga rektori, dekanët, akademikët dhe të gjithë ata që vendosën për mua në këtë vlerësim. Nuk kam fjalë të tjera, ndjehem vërtet i befasuar.”

Kapiteni Shehi ka folur disa fjalë edhe për fitoren e fundit dhe shkëputjen tashmë në krye të Superligës: “Ishte një fitore përballë një rivali, që lufton për titullin dhe kjo pa diskutim që i jep rëndësi më të madhe. Kemi luajtur vërtet shumë mirë dhe kemi “uri” kudo që shkojmë dhe kudo ku luajmë, edhe pse kemi një superngarkesë, pasi mesatarisht luajmë një ndeshje në tri ditë. E rëndësishme është që të vazhdojmë me këtë ritëm”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online