Kristiano Ronaldo është padyshim një nga futbollistët më të mirë që ka njohur historia e futbollit. Të tundë rrjetën kundërshtare është gjëja që ai di të bëjë më mirë se gjithçka dhe të pakta janë ato Kombëtare me të cilat ylli portugez nuk e ka festuar shijen e golit.
Në këtë listë të vogël bën pjesë edhe Shqipëria, ndaj së cilës ka luajtur 4 ndeshje por pa gjetur rrugën e rrjetës në asnjë prej tyre. “Lista e zezë” e 5 herë fituesit të Topit të Artë udhëhiqet nga Franca, me 5 ndeshje ndaj tyre pa shënuar. Megjithëse kjo statistikë mund të thyhet mbrëmjen e sotme.
Portugalia do të ketë përballë trikolorët në një duel që vendos shumë sa i përket kualifikimit nga faza e grupeve dhe duke ditur mentalitetin dhe formën fantastike që Ronaldo po kalon në këtë Europian, atëherë goli mund të mos jetë aspak çudi mbrëmjen e sotme. Ndërkaq një rrjetë e tundur nga CR7 do të nxirrte Francën nga lista e Kombëtarëve që nuk ka arritur t’u shënojë dot, ndërsa kryesimin e saj do e mertë Shqipëria me 4 ndeshje në të cilat i ka thënë stop sulmuesit të Juventusit./Halit Delibashi-Sport Ekspres/